E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë zbresin nga pallati: Pesë ditë afat ndërtuesit

Gratë në protestë

Tiranë, banorët: Kemi 2 vjet pa strehë, pezulloni punimet deri në zgjidhje.

Gjashtë gratë që kërcënuan me vetëvrasje, zbritën dje nga kati i 11-të i pallatit në Unazën e Re të Tiranës. Brenda pesë ditëve duam përgjigje për kërkesat tona, ndryshe gjithçka do të kthehet siç ishte, janë shprehur dje gratë, teksa zbrisnin nga tarraca e pallatit ku për dy ditë me radhë kërcënuan me vetëvrasje. Gratë kanë thënë se familjet e tyre po qëndrojnë prej më se dy vjetësh me qira, ndërsa banesat e tyre ishin shembur për ndërtimin e pallatit. Ato kanë kërkuar që të pezullohen punimet në godinën në ndërtim, derisa pronari i kompanisë tu përcaktojë sipërfaqen e apartamenteve dhe kohën kur do ti marrin ato në dorëzim. Në tarracë nuk do të ngjitemi më, por do dalim në rrugë që të protestojmë që të mos vijojë ndërtimi. Në qoftë se kjo kontratë nuk do na plotësohet brenda 5 ditësh, atëherë ne do të zëmë me forcë pronat që na ka dhunuar ai. Kemi 3 vjet që kemi bërë kontratën dhe absolutisht asnjëherë nuk e kemi takuar. Ai në kontratë thotë që brenda 20 muajve ndërtimi do përfundojë dhe ti do futesh brenda dhe ne kemi 3 vjet që ende nuk e dimë se ku e kemi shtëpinë. Ne duam nga zoti Pelivani të zbatojë vetëm kontratën, thanë banorët. Tërheqja e tyre nga qëndrimi në tarracë ka ardhur dje rreth orës 18:30, pas negociatave të vazhdueshme që janë zhvilluar dje gjatë ditës me policinë e Komisariatit Nr.6. Dy nga gratë mësohet se kanë qenë të moshuara dhe gjatë qëndrimit për 48 orë në tarracën e pallatit, kanë pasur edhe probleme shëndetësore. Ato kaluan një natë mes të hënës dhe të martës në qiell të hapur ndërsa dje, teksa zbrisnin katet e pallatit karabina, mbanin në duar çanta dhe qese me batanijet që i kishin përdorur për fjetje gjatë 48 orëve të protestës. Pasi kanë dalë nga pallati në ndërtim, gratë janë pritur nga disa efektive të policisë femra. Shërbimet e rendit i kanë ftuar protestueset që të bëjnë kallëzim në polici në lidhje me pretendimet e tyre, por mësohet se asnjë prej tyre nuk ka pranuar të bëjë padi. Nga ana tjetër, përfaqësuesi i firmës ndërtuese të pallatit, shtetasi Namik Pelivani, mësohet se ka depozituar kallëzim në Komisariatin Nr.6 ndaj disa personave, duke i akuzuar ata për dhunimin e punonjësve të ndërtimit që janë goditur teksa kryenin punimet në objektin karabina. Pronari i kompanisë ndërtuese, shtetasi Namik Pelivani, në një intervistë për gazetën Panorama ka theksuar se ka kontrata të rregullta me pronarët e ligjshëm të tokës, që janë dy familjet tiranase, Xhixhabesi dhe Dedja. Biznesmeni i ndërtimit ka thënë se që kur ka nisur ndërtimi i pallatit, familjet e prekura i ka trajtuar sipas ligjit, me qira, duke paguar në total deri tani 130 milionë lekë të vjetër përgjatë dy viteve, që nga 2009 kur kanë nisur punimet. Sipërmarrësi i ndërtimit ka theksuar se, sipas ligjit, nuk është ai që përcakton sipërfaqen që u takon banorëve të mëparshëm në truallin e ndërtimit. Gjithnjë në referim të ligjit, Pelivani ka thënë se banorët duhet ti drejtohen pushtetit lokal, ku duhet të plotësojnë dokumentet dhe, prej andej, do të mësojnë edhe sipërfaqen e strehimit që u takon.

Konfrontimi me policinë
Dy persona, të afërm të grave protestuese, janë shoqëruar dje në Komisariatin e policisë Nr.6 në kryeqytet. Mësohet se dy bashkëshortë të grave që ndodheshin në tarracë, janë shoqëruar në polici, pasi u konfrontuan me forcat e rendit. Përleshjet kanë ndodhur, pasi forcat e policisë tentuan të hyjnë në pallat dhe të ngiteshin në tarracë për të zbritur gratë nga kati i 11-të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›