Prokuroria: Saldatori vdiq nga një goditje me shpullë
Vrasja e saldatorit Gëzim Karaj në Tiranë më 28 gusht, nga i dashuri i një stjuardese, tronditi opinionin publik.
U tha se ai vdiq pasi u godit me levë pas veshit, por prokuroria thotë se Karaj vdiq pasi u godit me shpullë.
Artenc Shehu akuzohet për vrasje me dashje.
Gazeta Panorama ka zbardhur një kopje të vendimit të gjykatës.
Sipas saj, rezulton se në datën 28.08.2013, rreth orës 10:15 është njoftuar salla operative se në spitalin Nënë Tereza Tiranë ka gjetur vdekjen shtetasi Gëzim Karaj.
Ky shtetas, disa minuta para se të gjente vdekjen, është konfliktuar para shtëpisë së tij në rrugën Ali Demi me shtetasin Artenc Shehu, i cili e ka goditur në fytyrë.
Nga deklarimet e marra rezulton se rreth orës 09:15 viktima Gëzim Karaj ka dalë nga servisi i tij me disa dërrasa dhe mbeturina, të cilat i ka vendosur në një biçikletë dhe po i transportonte te kazani i plehrave.
Duke qenë se rruga ishte e bllokuar nga disa makina të parkuara, viktima i ka shkarkuar këto mbeturina në rrugë. Në këtë moment aty është afruar shtetasja M.J. e shoqëruar nga e ëma e saj dhe i ka kërkuar viktimës Gëzim Karaj që të mos i hidhte mbeturinat aty, pasi nuk kalonte dot me makinë.
Midis tyre ka lindur një debat, në vijim të të cilit, sipas deklarimeve të shtetases M. J. dhe të ëmës së saj, viktima ka qëlluar M.J. me shuplakë. Pas kësaj, shtetasja M.J. ka marrë në telefon shokun e saj, Artenc Shehu, i cili ka shkuar në vendin e ngjarjes.
Pasi është takuar me shtetasin Gëzim Karaj dhe kanë debatuar për disa çaste, e ka goditur këtë të fundit në fytyrë, sipas tij, vetëm me shpullë.
Më pas kanë ndërhyrë shtetasja M.J. dhe e ëma, të cilat e kanë larguar. Në këtë moment ka ardhur edhe shtetasja N. Karaj, bashkëshortja e viktimës, e cila e ka marrë këtë të fundit dhe kanë shkuar në shtëpi.
Pasi kanë qëndruar rreth 20 minuta, shtetasi Gëzim Karaj ka qenë i zbehtë dhe nuk është ndjerë mirë. Për këtë arsye, bashkëshortja e tij ka dalë jashtë dhe pasi ka gjetur një taksi, e ka dërguar Gëzimin në urgjencën e spitalit Nënë Tereza, ku ai pas disa minutash ka ndërruar jetë.
Nga ana e Policisë Gjyqësore është bërë këqyrja e jashtme e kufomës së shtetasit Gëzim Karaj, nga ku ka rezultuar prania e një ekimoze me përmasat 1.5 cm dhe 0.5 cm, në pjesën e veshit të majtë.