E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Sekuestro ndërtimeve pa leje dhe procedim penal pronarit

prokuroria-pergjithshmeProcedim penal për pronarin dhe menjëherë më pas sekuestrim ndërtimit pa leje.

Kjo është mënyra e re se si do të veprojë prokuroria pas datës 9 shtator, për të ndihmuar në luftën kundër ndërtimeve pa leje në gjithë vendin.

Siç mëson Vizion Plus, qarkorja me detajet ka nisur tashmë të hartohet në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme për tu shpërndarë më pas në të gjithë rrethet, sipas urdhrit të kreut të këtij institucioni, Adriatik Llalla, i cili kujdeset edhe të përçojë një mesazh se do të mbështesë aksionet e qeverisë së re, që e ka shpallur luftën ndaj ndërtimeve pa leje si emergjencë kombëtare.

Megjithatë, që të hyje në veprim prokuroria, nevojitet që dikush të bëjë denoncim, qoftë ky qytetar i thjeshtë apo institucionet përgjegjëse që janë bashkitë dhe inspektoratet.

Por deri tani, në 6 muajt e parë të këtij viti në prokurori kanë mbërritur vetëm 105 denoncime të tilla, në një kohë që vetëm në portalin e hapur nga Partia Socialiste numërohen rreth 700 objekte pa leje.

Nuk dihet nëse vetë partia që do të marrë drejtimin e qeverisë nga java e ardhshme do të dorëzojë në prokurori dosjen me këto denoncime që deri tani janë hedhur online, apo do të ndjekë ndonjë formë tjetër për ti luftuar ato.

Ndërkohë, shembulli i parë i prokurorisë për këtë mënyrë të re është dhënë në Vlorë pak ditë më parë kur u sekuestruan 3 objekte shumëkatëshe të ndërtuara pa leje.

Nga të dhënat e prokurorisë mësohet se gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, në të gjithë vendin janë marrë të pandehur për ndërtime të paligjshme 47 persona, ndërsa 39 prej tyre janë dërguar në gjykate, por asnjë çështje nuk ka përfunduar ende. Numri më i madh i kallëzimeve rezulton të jetë bërë në qytetet bregdetare si Durrësi, Vlora, Saranda, ndërsa kryeqyteti, që ka numrin më të lartë të shtesave e ndërtesave pa leje, rezulton deri tani me vetëm 8 çështje të paditura.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›