Për Edin, Ramushin dhe Jozefinën
1./ Edi Rama e futi në agjendën zyrtare qeveritare edhe ditëlindjen e mamit të tij. Sot mami i Edi Ramës e ka ditëlindjen, dhe për këtë ngjarje është njoftuar me kohë populli shqiptar, nëpërmjet një njoftimi që kryeministri i ardhshëm e ka postuar në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Më pëlqeu atmosfera në fotografi, gratë festive, nga Linda deri te më e vogla, të gjitha të veshura me të zeza, dukeshin elegante, shumë.
Për herë të parë me këmishë mbërthyer, Edi Rama nuk qe aspak virtuoz në urimin e tij. Tha edhe 100, mam, ashtu siç uron krejt populli, tradicionalisht.
Lum ai që e respekton mamin e tij, dhe lum ai që ka fat dhe e bën çështje shtetërore ditëlindjen e mamit të tij.
Mami i Edi Ramës është virgjëreshë në shenjë zodiaku, që do të thotë se është një grua e mençur, vajzë Mërkuri.
Virgjëreshë zodiaku ishte edhe Nënë Tereza, që për shkak se është Nëna e të gjithëve nuk e quajmë Mami Tereza.
2./ Nderi i Ramush Haradinajt ka pushtuar Shqipërinë. Pas Shëngjinit, edhe Burreli e mori vesh kush është ky ish luftëtar i UÇK-së. Sot, Haradinaj u bë qytetar nderi i Burrelit.
Në vend që ti jepen çelësat e burgut (si simbol i lirisë), ai në një letër të bashkisë së Burrelit, u shpall qytetar nderi i Burrelit.
Pasi një ditë më parë kërkoi nga Obama që menjëherë ta sulmoj Sirinë, Ramush Haradinaj me këtë rast në Burrel, foli për luftën e Kosovës. Lufta ka qenë e ashpër, dhe ka pasur viktima nga të dy anët- tha z.Haradinaj. Pra, sipas tij ashpërsi ka pasur nga të dy anët, dhe lufta ka qenë e barabartë.
Por, shtëpi të verdhë, nuk ka pasur- e siguroi Burrelin, z.Haradinaj. Ka pasur shtëpi, por nuk ka qenë e verdhë, por ka qenë shtëpi ngjyrë pembe, dhe është quajtur Medicus.
3./ Melihate Tërmkolli dhe Jozefina Topalli janë dy gratë më me fat ndër shqiptarët. Që të dyja e kanë të zgjedhur çështjen e kryeministrave të tyre jetësorë.
Meli (respekt për të), e quante publikisht Ramush Haradinajn (edhe kur Ramushi ishte në Hagë), kryeministër (anipse kryeministër zyrtarisht ishte Hashim Thaçi), ndërsa Jozefina Topalli, në FB e mban fotografinë e Sali Berishës si emblemë-muri, ku mbështetet. Dhe, nëse e largon fotografinë e Berishës, duket se rrëzohet përtokë me fytyrë kah dheu.
E di, e kuptoj nevojën femërore për t’u mbështetur te një burrë. Por, këmbët e huaja të çojnë larg dhe në rrugë të panjohur.
Nëse hip në kalë, kali të çon larg, por kur diku gjatë rrugës pastaj kali lodhet dhe rrëzohet, atëherë ti as nuk e di rrugën të kthehesh mbrapa, as nuk e di rrugën të vazhdosh përpara. Kështu na mësonte nga shpella e tij Zarathustra.
E kush i beson Jozefinës e Melihates, kur ato, asnjëra, nuk u besojnë këmbëve të tyre, që një herë, për një çast, të rrezikojnë e të ecin vetëm, pa u mbështetur te një burrë.
Kur femrës i vjen koha të ecën me këmbët e veta, e sheh se ka humbur shumë kohë, se e ka humbur rininë.
