Prokuroria: Të plagosurit e 21 janarit u qëlluan për tu vrarë
Efektivët e Gardës së Republikës kanë qëlluar për të vrarë më 21 janar të vitit 2011 dhe jo për të trembur protestuesit. Në këtë konkluzion kanë arritur hetuesit e prokurorisë në lidhje me pesë personat që kanë mbetur të plagosur gjatë protestës së 21 janarit. Edhe vetë të plagosurit kanë dëshmuar në prokurori se plumbat që i kanë qëlluar kanë ardhur nga brenda rrethimit të kryeministrisë.
Sipas prokurorisë, të plagosurit Ilia Papa, Erald Bisha, Ilia Qesku, Sokrat Gode dhe Fatos Mahmutaj, në dëshmitë e tyre dhënë para oficerëve të policisë, kanë akuzuar direkt forcat e Gardës së Republikës si autorë të tentim vrasjes së tyre. Nga informacioni i marrë kemi konstatuar se është plagosur po atë ditë edhe 23 vjeçari nga Laknasi, Artes Dybeli, por, nga kërkimi i bërë nuk është bërë i mundur gjetja dhe marrja e dëshmisë së tij, pasi kemi mësuar që është larguar jashtë shtetit për kurim dhe nuk është kthyer,- thuhet nga të dhënat e prokurorisë. Ndërkaq, të pesë të plagosurit e tjerë që tashmë janë pyetur, ndër të tjera janë shprehur se plumbat nga të cilët ata kanë pësuar lëndimet trupore kanë ardhur nga brenda rrethimit të ndërtesës së Këshillit të Ministrave.
Të plagosurit gjatë marrjes në pyetje, kanë treguar vendet ku ndodheshin në momentin e goditjes duke treguar kështu edhe pozicionin nga mund ti ketë ardhur plumbi që i shkaktoi plagë në trup, që çuditërisht të gjithë ishin tejshpues. Pra asnjë plumb nuk ka mbetur në trupin e të plagosurve. Këto dëshmi tashmë janë administruar në dosjen hetimore dhe ndodhen në fashikullin hetimor, ku pritet që edhe për këta plagosje të arrestuarit e ndaluar dhe ata që janë nën hetim, të akuzohen për vrasje me dashje të mbetur në tentativë,- thuhet nga të dhënat e prokurorisë. Të pesë të plagosurit kanë plagë të ndryshme në trup, të cilat i kanë marr nga armët e zjarrit në vende të ndryshme të Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Asnjëri nga të plagosurit me armë zjarri që tashmë janë pyetur, nuk rezulton se është plagosur brenda rrethimit të kryeministrisë. Të pesë të plagosurit në momentin e plagosjes kanë qenë në bulevardin dëshmorët e Kombit, por në vende të ndryshme me njëri-tjetrin,- thuhet nga të dhënat e grupit hetimor.
Ndërsa, reporteri i televizionit ABC, i cili tashmë ndodhet në Belgjikë si azilant politik, sipas prokurorisë, ka qenë fare afër të vrarit Hekuran Deda. Plumbi që plagosi reporterin Fatos Mahmutaj në dorë është po i njëjti plumb që i solli vdekjen demonstruesit Hekuran Deda, pasi ishin pranë njëri-tjetrit të hipur në podiumin e ngritur nga një televizion kombëtar pranë një pemë, anash portës hyrëse të rrethimit të kryeministrisë,- thuhet nga prokuroria. Për këtë vrasje, tashmë prokuroria ka ngritur dyshime logjike se ajo mund të jetë shkrepur nga arma e të arrestuarit Agim Llupo, që ndodhet i izoluar në qeli nën masën e sigurisë arrest me burg. Por, për plagosjen e katër personave të tjerë, organi i akuzës ende nuk ka arritur në një konkluzion konkretë, pasi është në pritje të eksperimentit të vendit të ngjarjes që është kërkuar të kryhet nga agjentët e Byrosë Federale të Hetimit (FBI-së) në versionin tre dimensional. Me kryerjen e kësaj ekspertize, hetuesit e çështjes mund të arrijnë në një përfundim se nga cili vend mund të ketë ardhur plagosja e tyre. Një gjë është e sigurt për hetuesit e çështjes, se akuza ndaj të dyshuarve është ajo e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të katër personave; vrasje në rrethana të tjera cilësuese të mbetur në tentativë ku për pasoj janë plagosur pesë persona dhe Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e parashikuar na neni 79 pika dh/ ë, ku nëse cilësohen fajtor të dyshuarit rrezikojnë të dënohen jo më pak se 25 vite burg ose burgim të përjetshëm./ Shekulli
Vendndodhja e të plagosurve
Ilia Papa nga Saranda, i plagosur në krah ka dhënë dëshmi dhe tashmë ndodhet emigrant në Greqi
Erald Bisha nga Tirana, i plagosur në gjoks, ka dhënë dëshmi jeton në kryeqytet
Ilia Qesku nga Saranda, i plagosur, ka dhënë dëshmi por që tashmë ndodhet emigrant në Greqi
Sokrat Gode nga Berati, i plagosur në krahë, mendohet se ndodhet në Berat
Fatos Mahmutaj nga Tirana, i plagosur në dorë tashmë ndodhet në Belgjikë me statusin e azilantit
Artes Dybeli, nga Laknasi i Tiranës, i plagosur në qafë dhe shpatull, nuk dihet vendndodhja pasi nuk i është marr dëshmia