Prokuroria dhe ILDKP-ja të hetojnë pasurinë e çiftit “Rama”

Reagon deputeti i PD, Osman Metalla
Thirrjeve drejtuar ndërgjegjes së Edi e Linda Ramës u ka ardhur fundi. Mazhoranca kërkon tani reagimin e institucioneve kushtetuese, të cilat kanë për detyrë të hetojnë origjinën e parave me të cilat u ndërtua pallati në pajë i Linda Bashës e po ndërtohen sarajet në periferi të kryeqytetit, por edhe refuzimi i familjarëve të Edi Ramës për të deklaruar pasurinë, sipas ligjeve në fuqi
Deputeti i Partisë Demokratike Osman Metalla deklaroi se kreu i PS, Edi Rama refuzon të bëjë transparencë për pasurinë e tij dhe të bashkëshortes, Linda Rama.
Në një deklaratë për mediat, deputeti i PD-së theksoi se, “rilindësi Edvin jeton në Shqipërinë ku thotë se nuk është i varfër, por refuzon të bëjë publike pasurinë e tij pasi siç thotë ai në këtë çështje është mjaft i ndjeshëm. Për Ramën faturat tatimore nuk janë detyrime ligjore. Ato janë detyrime ligjore vetëm për qytetarët e thjeshtë. Për të njëjtat arsye ndershmërie ende sot e ëma dhe i biri nuk kanë bërë publike pasuritë e tyre, pasi nuk e ndjejnë që e kanë këtë detyrim ligjor”.
Sipas tij, deri në vitin 2004 Edi Rama thjesht ka refuzuar të deklarojë pasurinë, ndërsa në vitin 2005 dhe në vazhdim deklaron vetëm borxhe, madje në ditën më të mirë borxhliu Edvin deklaron jo më shumë se 3 mijë Euro pasuri. “Në vitin 2011 karta e tij e kreditit rezulton me -242 Euro, nuk ka shtëpi edhe pse gjatë mandatit të tij të fundit si kryetar i Bashkisë së Tiranës ka dhënë leje për afro gjysmë milion metër katror për Rilindësit e tij. Të ardhura ka vetëm rrogën e shtetit por po ndërton një vilë prej 2800 m2 , në një truall prej 5800 m2 të dhënë pothuajse për sevap por jo në Tiranën që ndërtoi me Fidelët e tij, por jashtë saj. Dje në Pezën e rilindësit Dash, sot në Dajtin e rilindësit Xhemal. Jeton gjithashtu në Shqipërinë ku një familje mesatare si ajo e znj. Linda Basha ka mundësinë të falë 100 mijë Euro, madje i mbeten dhe 1 milion Euro të tjera për të ndërtuar modestisht një pallat, e gjitha kjo duke u marrë vetëm me mësimdhënie dhe me punë shkencore”, vijoi ai.
Ndër të tjera, sipas deklarimeve të tij theksoi Metalla, “Shqipëria në të cilën jeton rilindësi Edvin, qenka një vend goxha i mirë për të jetuar, mirëpo ai kërkon për të drejtuar një vend krejt tjetër, një Shqipëri ku siç thotë ai 1 milion veta janë të papunë dhe 4 milion shqiptarë nuk kanë të hanë, të pinë, të vishen. Krejt logjikshëm lind pyetja: Cila është Shqipëria e vërtetë, ajo në të cilën jeton aktualisht rilindësi Edvin apo ajo e zhytura në mjerim të cilën kërkon të drejtoj si rilindës? Çdo shqiptar që siguron jetesën nga pika e djersës që derdh çdo ditë, e ka përgjigjen e kësaj pyetje. Besoj se instituti i deklarimit të pasurive dhe prokuroria duhet të bëjnë punën e tyre”.