Idrizi: Çamët kanë amanetin e bashkimit dhe jo të përçarjes

Themelohet në Izmir të Turqisë, Shoqata për Kulturë dhe Bashkim e të shpërngulurve shqiptarë
Në qytetin turk të Izmirit komuniteti shqiptar i Çamërisë ka themeluar Shoqatën për Kulturë dhe Bashkim të të shpërngulurve shqiptarë si dhe degën e shoqatës Çamëria. Kryetari i Partisë drejtësi integrim dhe unitet Shpëtim Idrizi i pranishëm në këtë aktivitet u shpreh se është shumë e rëndësishme që shqiptarët e Çamërisë takohen pas 90 vjetësh dhe qe kanë mbajtur gjallë gjuhën shqipe , zakonet dhe kulturën.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse kreu i PDIU Idrizi theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët e Çamërisë takohen pas 90 vjetësh dhe kanë mbajtur gjallë gjuhën shqipe, zakonet dhe kulturën.
Ai theksoi se ky takim dhe krijimi i degës së shoqatës Çamëria në një qytet si Izmiri në Turqi, ku jetojnë mijëra shqiptarë të shpërngulur nga trojet e tyre është një hap drejt bashkimit të shqiptarëve, jo vetëm të Çamërisë për të ruajtur vlerat dhe traditat e identitetit tonë kombëtar.
“Gjyshi im ja kaloi të drejtën babait tim, i cili ishte 2-vjeç kur erdhi në Shqipëri. Amanetin babai im ma ka kaluar mua bashkë me shokët e mi, e unë jam i bindur që të gjithë bashkë këtë amanet të fortë, këtë amanet që na i ka lënë zoti, këtë amanet mbi të cilin punohet e ndërtohet çdo ditë dhe që ka të bëjë me identitetin tonë, me të drejtat e njeriut, me mënyrën më paqësore që ne e shohim njëri-tjetrin do të jetë amaneti i bashkimit dhe jo përçarjes. Unë jam i bindur që me ndihmën e miqve tanë ne do të jemi qytetarë të një amaneti të realizuar. Së bashku me kryetarin e shoqatës ‘Çamëria’, njëkohësisht edhe zëvendësministër i arsimit të Shqipërisë, ne kemi qenë vazhdimisht aktiv edhe në parlamentin shqiptar të kërkojmë që kudo, ku janë shqiptarët të kemi mundësi ta ruajmë gjuhën tonë, ta njohim kulturën, traditën. Edhe ne shqiptarët e Çamërisë kemi mbijetuar falë një kulture dhe tradite të lashtë, e cila tregon që ne jemi një popull me rrënjë dhe një popull me rrënjë jo vetëm që nuk mund të zhduket, por rritet në mënyrë progresive duke shkuar drejt të drejtës së tij. Edhe në parlamentin shqiptar ne po punojmë për çështjen e Çamërisë. Ne kemi bërë gati një rezolutë ku parlamenti do të shprehet, për nevojën historike të munguar për të drejtat e shqiptarëve të çamërisë, por siç e thashë flamuri jonë janë të drejtat e njeriut dhe ne jemi gati të vendosemi në krah të çdo etnie, kombi, që mbron këtë flamur”, theksoi Idrizi.