Prokuroria dorëzon dosjet, Prendi e Llupo akuzohen për vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Vazhdon hetimi për vrasjen e Aleks Nikës
Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije në një njoftim për shtyp se ka dorëzuar në gjykatë dosjen me katër të akuzuar për ngjarjet e 21 janarit. Dy prej tyre akuzohen për vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kurse dy të mbeturit akuzohen për pengim të drejtësisë.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në bazë të hetimeve të kryera, më datë 20.04. 2012 ka dorëzuar pranë Gjykatës së rrethit Tiranë dosjen në ngarkim të shtetasve të mëposhtëm:
Ndaj shtetasit Ndrea Prendi, me detyrë komandant i Gardës së Republikës, u ngrit akuza për veprën penale Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, parashikuar nga neni 79, germa ë i Kodit Penal dhe në datën 20.04.2012, çështja në ngarkim tij u dërgua në Gjykatë. Ndaj shtetasit AgimLlupo, me detyrë shef i shtabit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, u ngrit akuza për veprën penale Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, parashikuar nga neni 79, germa dh i Kodit Penal dhe në datën 20.04.2012, çështja në ngarkim tij u dërgua në Gjykatë.
Ndaj shtetasit Margarit Kume, me detyrë shofer i komandantit të Gardës së Republikës, u ngrit akuza për veprën penale Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal dhe në datën 20.04.2012, çështja në ngarkim tij u dërgua në Gjykatë.
Ndaj shtetasit Armando Kasaj, me detyrë specialist i IT në Këshillin e Ministrave, u ngrit akuza për veprën penale Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal dhe në datën 19.04.2012, çështja në ngarkim tij u dërgua në Gjykatë, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Ndërkohë është bërë me dije se vazhdon hetimi për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e dy protestuesve.
Hetimet në ngarkim të efektivave të Gardës së Republikës, shtetasve Dashamir Shehi, Alfred Ahmetcenaj, Altin Kollçinaku, Fatos Bushati, Aleksandër Deda, Agrom Malaj, Gazmend Ahmetaj, Sadik Çela dhe Mark Nikolli, u pushuan në datën 20.04.2012.
Hetimet vazhdojnë në lidhje me përcaktimin e autorësisë për vrasjen e shtetasit Aleks Nika dhe plagosjen e demonstruesve të quajtur Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa, thekson prokuroria.