Ajo ka mbështetje politike
Historitë e të dyja grave janë të tmerrshme. Janë dhunuar nga bashkëshortët ndërsa kanë qenë shtatzënë. Fëmijët që kanë lindur janë me probleme. Dhuna ndër to ka vazhduar sërish, derisa gjykatat kanë vendosur një urdhër mbrojtje për to. Duke menduar se në këtë vend ka mbetur pak shtet, janë drejtuar për në qendrën për mbrojtjen e grave të dhunuara. Por sërish aty janë përballur me dhunë barbare.
Sot në News 24, dy gra kanë dalë për të denoncuar këtë skandal të rëndë. Ato thanë se i janë drejtuar kryeministrit Sali Berisha për këtë çështje, por kanë gjetur heshtje. Njeriu që lexon rregullisht SMS-të që i çojnë shqiptarët për fitoret e gëzimet, nuk denjon të reagojë kur bëhet fjalë për një akt të tillë kriminale.
Por gratë rrëfyen se si kur ishin ankuar tek Ministria e Çështjeve Sociale për drejtoreshën e këtij institucioni, aty u kishin thënë se ajo nuk lëviz se ka mbështetje politike.
Shteti shqiptar çfarë duhet të presë më shumë??! Apo kërkon humbjen e jetës nga ana jonë që të kujtohen për të reaguar, thuhej në një letër që gratë i kishin dërguar Berishës para pak ditësh, dhe që për dijeni ka shkuar edhe tek Ministria e Çështjeve Sociale dhe tek Avokati i Popullit. Ato akuzojnë drejtoreshën Dodona Kaloshi për dhunë psikologjike.