E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, hetim ish-deputetit Sali Shehu

Gazeta Shqip

Denoncimi i Çefës: Abuzoi kur ishte drejtor në KLD, mori 24 rroga pa qenë asnjë ditë në punë

Sali ShehuProkuroria e Tiranës ka nisur hetimet ndaj ish-deputetit të PD-së, Sali Shehu, për abuzim me detyrën. Njësia Task-Forcë ka regjistruar kallëzimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që e akuzonte Shehun se ka abuzuar me detyrën gjatë kohës që punonte në këtë institucion. Kallëzimi mban firmën e nënkryetarit Ervis Çefa, që pretendon se ish-deputeti, megjithëse punonte në KLD, nuk ka shkuar asnjë ditë në punë. Ai rezulton se ka marrë 24 paga, ndërsa procedimi penal vjen disa javë para se të fillojë fushata elektorale, ku Shehu mund të kandidojë me FRD-në, pasi në vitin 2009 nuk është futur në listat për kandidatë për deputet të PD-së. Sali Shehu konsiderohet si një nga mbështetësit e ish-presidentit Bamir Topi, ndërsa aktualisht mban funksione në FRD. Burime nga prokuroria pohojnë se procedimi nuk ka lidhje me fushatën elektorale por me një pretendim të KLD-së, e cila ka depozituar edhe një kallëzim. Bazuar në provat e paraqitura në Njësinë Task-Forcë, rezultoi se pretendimi ka bazë ligjore, ndërsa mësohet se në drejtim të ish-deputetit është nisur edhe një fletëthirrje.

 

Pyetet Shehu

Krahas ish-deputetit, burimet nga Prokuroria e Tiranës thanë se nën hetim janë ish-zyrtarët e KLD-së, të cilët dyshohet se kanë abuzuar me detyrën. Pas kallëzimit të zv.kryetarit të KLD-së, Elvis Çefa, Task-Forca ka regjistruar procedimin penal, duke hetuar ish-deputetin e Partisë Demokratike Sali Shehu, pasi rezulton se është paguar me cilësinë e drejtorit në KLD për 24 muaj pa u paraqitur një ditë në punë.

Ndërkohë, po verifikohet roli i nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, pohojnë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat pohojnë se kanë nisur një verifikim edhe ndaj kreut të AK-së, i cili kohët e fundit ka nisur një fushatë denoncimesh ndaj qeverisë dhe kryesisht ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Sipas burimeve nga Njësia Task-Forcë, ish-deputeti Sali Shehu është marrë në pyetje nga hetuesit e çështjes. Ai ka pohuar se ka qenë në stafin e KLD-së dhe është paguar për dy vite me cilësinë e drejtorit. Në lidhje me mosparaqitjen në detyrë, Shehu ka pohuar se ka punuar pranë zyrës së ish-presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Fletëthirrje Spahiut

Burimet nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se i kanë dërguar edhe një fletëthirrje ish-nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, si person që ka pasur dijeni për këtë abuzim. Megjithatë, nga të dhënat e para mësohet se ende asnjë person nuk është marrë i pandehur dhe të ngrihet një akuzë. Megjithatë, duke qenë se jemi disa javë para fillimit të fushatës elektorale, ajo çka vërehet është se po sulmohen partitë opozitare, madje edhe të djathta si FRD apo AK. Më herët, policia hetoi babain e deputetit socialist, Saimir Tahiri, me akuzën e kontrabandimit të ilaçeve.

Prokuroria, hetim ish-deputetit Sali Shehu burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›