“Balerina” kap tre trafikantët
Etleva Delia
Tre persona përfunduan në pranga me akuzën se mashtronin vajzat adoleshente, duke u premtuar t’i bënin balerina e më pas i trafikonin për t’i shfrytëzuar si prostituta. Operacioni i koduar “Balerina” u finalizua dje me arrestimin e Mehdi Xhihanit, 45 vjeç, Xhemal Zenunit, 21 vjeç dhe Altin Brahimit, 25 vjeç. Ky aksion është realizuar nga Drejtoria e Luftës Kundër Krimit të Organizuar dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policinë e Durrësit. Dy grupe të posaçme oficerësh janë nisur njëkohësisht në drejtim të Korçës dhe të Durrësit, duke parandaluar trafikimin e një vajze në drejtim të Greqisë. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë bënë të ditur se tre të arrestuarit kishin arritur ta bindnin vajzën me iniciale M.Ll., 21-vjeçare, që të kalonte kufirin bashkë me ta. Por në momentin që ata janë nisur në drejtim të vendkalimit kufitar, policia i ka vënë në pranga. Të njëjtat burime thanë se të arrestuarit kishin nisur “negociatat” edhe me tri vajza të tjera, për t’i bindur që të shkonin në Greqi, ku do t’i shfrytëzonin si prostituta.
TRAFIKIMI
Operacioni që arrestoi dje tre persona në Durrës dhe në Korçë, ka marrë emrin “Balerina” pikërisht nga mënyra që përdornin të akuzuarit për trafik për mashtrimin e vajzave në moshë adoleshence. Pasi i “piketonin” vajzat, ata dyshohet se zgjidhnin se cili prej tyre do të arrinte të krijonte miqësi me to. Më pas, pasi fillonin t’i takonin, ata duke i joshur u premtonin që do t’i bënin balerina të famshme në rast se ato do të pranonin që të iknin në Greqi, apo edhe Itali me ta. Shumë prej vajzave binin në “kurthin” e të arrestuarve dhe nga balerina përfundonin duke prostituuar rrugëve të Greqisë, për llogari të personave që i kishin mashtruar. Burime nga policia bënë të ditur se deri tani janë verifikuar 4 raste të tentativës për të trafikuar femra me qëllim shfrytëzimin e tyre për prostitucion, por hetimet nuk janë mbyllur me kaq, pasi dyshohet se në këtë mënyrë mund të kenë përfunduar duke ushtruar prostitucion edhe vajza të tjera. Verifikimet do të kryhen jo vetëm në Durrës dhe Korçë, por edhe në disa qytete të tjera të jugut të vendit, ku dyshohet se Mehdi Xhihani, Xhemal Zenuni dhe Altin Brahimi kanë “ushtruar” aktivitetin e tyre.