E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria ka nisur hetimet për pallatet e Bashës në Vlorë (FAKSIMILET)

Leja fillestare, e dhënë nga Bashkia, është deformuar dhe është mbushur deti me inerte për të krijuar sipërfaqe ndërtimi

Prokuroria e rrethit të Vlorës ka nisur hetimet për veprën penale të ndërtimit pa leje dhe zaptim të territorit në vendin e quajtur Uji i Ftohtë në Vlorë ku ka nisur ndërtimin e një kompleksi pallati, duke tejkaluar lejen fillestare, Lulëzim Basha. Kompania, e cila është në emër të vjehrrit të tij, ka marrë një leje ndërtimi nga Bashkia e Vlorës për një ndërtim të vogël dhe praktikisht ka tejkaluar dhe parametrat e lejes duke mbushur detin e duke krijuar një territor të ri mbi det.

Burime nga Prokuroria e Vlorës bëjnë të ditur se çështja ka nisur muaj më parë dhe është në hetim. Prokuroria thotë se po hetohet mënyra si është dhënë leja fillestare dhe si është shkelur ajo nga vjehrri i Lulëzim Bashës.

Bëhet fjalë për një kompleks pallatesh që po ndërton mbi det Lulëzim Basha në emër të vjehrrit të vet në Ujin e Ftohtë në Vlorë. Leja fillestare e dhënë nga Bashkia e Vlorës nën presion politik ka plot probleme, por këtyre problemeve u është shtuar dhe tejkalimi i kësaj leje dhe mbushja e detit duke krijuar territor të ri prej familjarëve të Lulëzim Bashës.

Autoriteti kompetent për ndaljen e këtij ndërtimi dhe prishjen e tij është Inspektorati i Lartë i Ndërtimit që varet direkt nga Ministri Sokol Olldashi, i cili nuk vepron. Duket se konjukturat politike brenda PD-së po përdoren nga familjarët e Bashës për të zaptuar një territor publik mbi det dhe për të mos u ndaluar në përfundimin e këtij krimi ndaj bregdetit shqiptar.

Lulëzim Basha, aktualisht kryetar në detyrë i Bashkisë së Tiranës, nuk ka reaguar qyshkurse media ka bërë publike skandalin. Modeli i investimeve të familjes së tij në Vlorë mund të kthehet në një bombë urbane për të ardhmen e Tiranës duke uzurpuar hapësirat publike në emër të familjarëve të vet. As Partia Demokratike nuk ka reaguar për këtë akuzë të rëndë ndaj numrit 2 të saj, i cili po starton karrierën e tij si kryebashkiak me një model të tmerrshëm uzurpimi jo vetëm elektoral, por dhe urban.

Faksimile e kompanisë së vjehrrit të Lulëzim Bashës, që po ndërton në Vlorë

Leja e ndërtimit dhënë nga Bashkia e Vlorës për këtë kompani

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›