E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria kërkon 4 vjet burg për Perikli Shqevin

shqeviProkuroria e Tiranës ka kërkuar 4 vjet burg për ish- të përndjekurin politik Perikli Shqevi.

Në seancën e sotme prokurori i çështjes ka dhënë pretencën, duke e akuzuar Shqevin për plagosjen e rëndë me dashje të shokut të tij, Gjergj Ndreca.

Pas dhënies së pretencës, ka reaguar edhe ish i përndjekuri politik, Skënder Tufa, i cili e ka cilësuar si absurde kërkesën e Prokurorisë, duke shtuar se kjo është një goditje për grevistët.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, një grup të përndjekurish politikë ndërmorën një grevë urie për të fituar të drejtat e tyre, teksa Gjergj Ndreca vendosi që të vetëdigjej. Ai u ndihmua nga Shqevi, të cilin tashmë prokuroria e akuzon për plagosje të rëndë.

Gjatë kësaj greve edhe ish-i përndjekuri tjetër, Lirak Bejko, i vuri flakën vetes, çka rezultoi fatale për jetën e tij.

Ndërkohë gjykata ka vendosur që në 24 shtator të japë edhe vendimin për Perikli Shqevin.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›