Prokuroria kërkon burg përjetë për Shpëtim Zizën
Prokuroria ka kërkuar sot burg përjetë për Shpëtim Zizën, të akuzuarin e vrasjes makabre të një 10 vjeçari. Gjykata pritet të marrë në shqyrtim të gjitha provat dhe do të japë vendimin e saj në datë 3 qershor.
Shpëtim Ziza akuzohet për vrasjen çnjerëzore të Bekim Çengës. Trupi pa jetë i Bekim Çengës është gjetur pas pesë ditësh i zhdukur nga familja. Me trup të përmbysur, i masakruar, i dëmtuar në fytyrë me shenja mbytjeje në qafë dhe i dhunuar seksualisht.
Kjo ka qenë pamja e tmerrshme që kanë ndeshur hetuesit, kur kanë gjetur trupin e pajetë të fëmijës, që rezultonte i humbur. Ka qenë policia ajo që ka mundur të zbulojë kufomën në përroin e fshatit Tomin, rreth 200 metra larg nga pallati i fundit i lagjes "Kamen", ku banon dhe familja e Ylli Cengës.
Shenjat e dhunës në qafë dhe një lak prej fijesh ngjyrë bezhë, pak metër larg vendit ku u gjet fëmija janë sipas ekspertëve tregues të fortë që 10-vjeçari është mbytur. Fëmija, sipas ekspertëve që bënë këqyrjen e kufomës e më pas ekspertizën, mbante veshur të njëjtat rroba, me të cilat prindërit e kanë përshkruar, kur ai ishte larguar për herë të fundit nga shtëpia e gjyshit.
"Në anën e djathtë të fytyrës, viheshin re shenja gërvishtjeje të thellë, shumë të forta"- thanë pas gjetjes burimet nga grupi i ekspertëve.
Ekspertiza e kryer nga dy ekspertë të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, të ardhur enkas dhe me urgjencë për këtë ngjarje, kanë dalë në konkluzionin se fëmija ishte mbytur me litar në fyt.
"Në këtë konkluzion është arritur sepse janë gjetur shenja dhune në qafën e fëmijës"- theksojnë burimet. Sipas tyre, këtë përfundim e mbështet më së miri edhe fakti që, 50 metra më lart, afër një bregoreje, në ca gëmusha janë gjetur një palë pantallona të vjetra, një litar i improvizuar me fije në ngjyrë bezhë, litar i cili rezulton të jetë përdorur për të mbytur fëmijën.
Po në atë vend janë gjetur dhe njolla gjaku si dhe gjurmë, ku fëmija ka bërë përpjekje për të shpëtuar.
Ziza: Nuk e vrava unë
TIRANË- Shpëtim Ziza, i akuzuari për vrasjen makabre të fqinjit të tij 10 vjeç ka vendosur të mohojë gjithçka që kishte pohuar deri më tani.
Në një intervistë për një nga televizionet, e transmetuar disa muaj më parë, Ziza ka deklaruar se vrasjen e 10-vjeçarit Bekim Çenga nuk e kishte kryer ai, por se policët e kishin rrahur dhe më pas mësuar të pohonte gjithçka.
Drejtori i Policisë së Qarkut Dibër, Nikolin Kola, ka thënë për "Shekullin" se për këtë rast, pak rëndësi kishin pohimet e 19-vjeçarit të akuzuar për masakrën, pasi policia bazohej në prova të tjera, të cilat kishin mundësuar dokumentimin e ngjarjes.
Dyshimet
Në fakt, para se i riu, i cili është diagnostikuar me probleme mendore të mohonte gjithçka, dyshime ishin hedhur edhe nga persona të tjerë.
Kështu, xhaxhai i viktimës në një intervistë të dhënë për "Shekulli", ditën e varrimit të 10-vjeçarit, hidhte dyshimet se vrasja nuk ishte kryer vetëm nga Ziza dhe kërkonte që policia të vazhdonte kërkimet për autorë të tjerë edhe pse e vetmja provë e tij për këtë ishin pohimet e fëmijëve.
Të njëjtën gjë ka pohuar edhe nëna e të akuzuarit për krimin makabër, duke thënë se djali i saj nuk mund të ketë qenë i vetëm në kryerjen e krimit. Por deri tani dyshuesit nuk kanë asnjë provë. Nga ana tjetër, Ziza, i cili e dërgoi policinë në vendin e krimit dhe më parë kishte dhënë pohime të tjera rreth rrëmbyesve, në intervistë ka thënë se nuk e dinte se kush ishte autori i krimit.
Hetimi
Për drejtorin e Policisë së Dibrës çështja është e kopsitur. "Ne nuk jemi bazuar në deklaratat e të akuzuarit, por kemi mjaft prova të tjera për të ngritur akuzën", -ka thënë Kola.
Sipas tij deklarimet e Zizës janë ato që vijnë zakonisht nga një person i akuzuar për krim, i cili pasi ka pohuar përpiqet të mohojë gjithçka duke u shfajësuar se ishte rrahur nga policia. Por policia pohon se e gjithë ngjarja është dokumentuar.
Kështu pohohet se janë gjetur shenja në trupin e viktimës dhe po ashtu janë gjetur prova në vendin e krimit dhe në atë të përdhunimit dhe sipas agjentëve të gjitha këto implikojnë Zizën.10-vjeçari Çenga u rrëmbye ndërsa podilte nga shtëpia dhe u gjet vetëm pas 5 ditësh i masakruar.
Në dëshminë e tij Ziza tregonte për torturat që i kishte bërë të miturit, duke dhënë edhe detaje. Trupi i fëmijës u gjet i masakruar dhe sipas ekspertëve ai ishte lënë pa ushqim, ishte përdhunuar dhe mbytur.
Në rrëfimin e tij Ziza pohonte se arsyet që e kishin çuar drejt vrasjes ishin frika se i mituri do të tregonte për përdhunimin dhe dhunën.