E Shtunë, 31 Tetor 2026

Balla: Rikandidimi i Ramës, domosdoshmëri

Intervista me deputetin socialist, Taulant Balla


Deputeti socialist, Taulant Balla në një intervistë për gazetën ''Shekulli'' thekson se rikandidimi i Edi Ramës është një domosdoshmëri dhe se ai duhet të vazhdojë të drejtojë Partinë Socialiste. Kandidimin e zotit Arben Malaj, Balla e cilëson si një zhvillim pozitiv për demokracinë e brendshme të PS-së. Lidhur me rezolutën e paraqitur nga Ben Blushi, deputeti i mjatë vë në dukje, se ajo është një iniciativë e dështuar dhe një dokument i paplotë që synon të sjellë shumë problematika. Deputeti Balla thekson gjithashtu se "investimi kundër Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste sponsorizohet nga interesa jashtë Partisë Socialiste dhe kundër interesave të saj.'' Ndërkohë që sipas tij objektivi i Partisë Socialiste do të jetë edhe mosnjohja e zgjedhjeve të 28 qershorit, dhe kërkesa për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Për Edi Ramën :
"Unë jam plotësisht i bindur se rikandidimi i Edi Ramës është një domosdoshmëri dhe se Edi Rama duhet të vazhdojë të drejtojë Partinë Socialiste. Investimi kundër Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste sponsorizohet nga interesa jashtë Partisë Socialiste dhe kundër interesave të saj.''

Për rezolutën e Blushit: Iniciativë e dështuar
''Jam njohur me rezolutën dhe mendoj se kjo rezolutë është një dokument i paplotë që synon të adresojë shumë problematika. Më lejoni të kujtoj se në historinë 18 vjeçare të Partisë Socialiste ndryshimet statutore që kanë synuar interesa dhe bllokime individuale kanë qenë iniciativa të dështuara''.

Z. Balla si i vlerësoni zhvillimet në Partinë Socialiste pas përfundimit të zgjedhjeve, ku Partia që ju përfaqësoni rezulton të jetë humbëse?
Së pari, do të doja të theksoja se zgjedhjet e 28 qershorit nuk prodhuan fitues legjitimë, për aq kohë që humbësi i këtyre zgjedhjeve ishte standardi i munguar për shkak të tjetërsimit masiv të vullnetit të zgjedhësve nga një proces numërimi jo transparent, pasur nga dhunimi i të drejtës ligjore për rinumërim dhe rivlerësim të votës në tre qarqe të rëndësishme. Duhet gjithashtu të nënvizojmë se zgjedhjet e 28 qershorit u paraprinë nga një fushatë egër dhe dhune, përfshirë këtu përdorimin e paligjshëm të administratës dhe aseteve shtetërore në funksion të makinerisë elektorale të Partisë Demokratike.

Zgjedhjet e 28 qershorit, jo vetëm që ishin një shans i humbur për ecurinë e proceseve integruese të Shqipërisë, por ato përfaqësojnë një precedent të rrezikshëm edhe për vlerat demokratike të Aleancës së Atlantikut të Veriut ku ne aderojmë prej disa muajsh. Partia Socialiste nuk do të ndalet për asnjë moment në veprimin e vet politik për të zbardhur të vërtetën e votës së shqiptarëve, duke konsideruar si të vetmen rrugëdalje nga ky qorrsokak ku është zhytur demokracia në Shqipëri - mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Në këtë këndvështrim, unë dua të theksoj se dhe fokusi i Partisë më të votuar nga shqiptarët më 28 qershor, pra Partisë Socialiste do të jetë pikërisht shkurtimi i ditëve të kësaj qeverie të stisur nga interesa të vogla dhe meskine, qeveri të cilën unë do ta quaja qeverinë e ''plaçkës''.

A duhet të rikandidojë Rama në krye të Partisë Socialiste edhe pse partia juaj nuk i fitoi zgjedhjet ?
Unë bëj pjesë në atë grup njerëzish që mendojnë se ciklet e liderishipit nuk përkojnë me mandate zgjedhore, por me misione dhe angazhime afatgjata. Në këtë kontekst, unë jam plotësisht i bindur se rikandidimi i Edi Ramës është një domosdoshmëri dhe se Edi Rama duhet të vazhdojë të drejtojë Partinë Socialiste.

A mendoni se kundërshtarët e Ramës janë të induktuar nga ish- lideri socialist, Fatos Nano ?
Investimi kundër Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste sponsorizohet nga interesa jashtë Partisë Socialiste dhe kundër interesave të saj. Më vjen shumë keq që në partinë ku unë militoj prej 15 vjtetësh, vazhdon të kultivohet një frymë mosmirënjohjeje.

Si i vlerësoni kandidaturat e shfaqura deri më tani për kreun e Partisë Socialiste ?
Partia Socialiste vazhdon të mbetet një organizëm politik me demokraci të brendshme, plotësisht funksionale dhe si e tillë konkurrimi dhe debati janë mekanizma që e forcojnë partinë. Unë e vlerësoj si një zhvillim pozitiv që një personalitet me kontribute sikurse miku im Arben Malaj do të përfshihet në garën për kreun e Partisë Socialiste.

Kjo ''luftë'' brenda Partisë Socialiste është e dobishme apo e dëmshme për të ?
Më lejoni të nënvizoj edhe një herë se nuk kemi të bëjmë me një 'luftë', por me një shprehje të qartë të demokracisë së brendshme në Partinë Socialiste, si e vetmja parti ku prej 18 vjetësh zhvillohen konkurrime individësh dhe platformash. Partia Socialiste, përfaqëson sot të vetmen forcë politike të hapur dhe demokratike, ndërsa partitë e tjera vazhdojnë të mbeten prona personale dhe familjare të individëve autokratë.

A jeni njohur me rezolutën që zoti Blushi dhe mbështetës të tij synojnë t'i prezantojnë Kongresit që pritet të mbahet më datë 29 gusht?
Jam njohur me rezolutën dhe mendoj se kjo rezolutë është një dokument i paplotë që synon të adresojë shumë problematika. Më lejoni të kujtoj se në historinë 18 vjeçare të Partisë Socialiste ndryshimet statutore që kanë synuar interesa dhe bllokime individuale kanë qenë iniciativa të dështuara. Edhe unë mendoj se qoftë libri i rregullave, qoftë struktura organizative e Partisë kanë nevojë për ndryshime, por këto duhen realizuar përmes një procesi të gjerë studimi dhe reflektimi, përkundrejt problematikës së identifikuar dhe eksperiencave më të mira të partive simotra kudo në Evropë.

Unë mendoj se dokumente të tillë e dëmtojnë dhe e polarizojnë debatin. Partia Socialiste ka shumë nevojë për debat konstruktiv dhe përmirësime organizative e statutore, por këto duhet të jenë të studiuara mirë dhe të mos fshehin interesa të vogla që bllokojnë të drejta themelore, sikurse është e drejta për tu zgjedhur.

Si e shihni kandidaturën e zotit Malaj dhe Blushi, a janë ata kandidatë me potencial politik për të qenë liderë të PS-së ?
Zoti Malaj e ka shpallur tashmë ambicien e tij për të konkurruar, madje edhe me një platformë, për kreun e Partisë Socialiste. Ndërsa zoti Blushi ende nuk e ka shprehur qartë një ambicie të tillë. Do të jetë anëtarësia e partisë ajo që do të vendosë dhe se pas kësaj do të duhen që të gjithë të punojmë për përmbushjen e misionit tonë politik.

Nëse njëri nga kadidatët ; Rama, Malaj apo Blushi, vjen në krye të PS-së, çfarë mendoni se do të ndryshojë tek PS për të bërë opozitë?
Pa dashur të ripërsëris vetvehten, më lejoni të ritheksoj se motivi i veprimit opozitar të Partisë Socialiste do të jetë rikthimi i legjitimitetit të zgjedhjeve. Asgjë nuk mund të na ndalë ne nga angazhimi ynë përkundrejt të gjithë qytetarëve të ndershëm të këtij vendi për zbardhjen e së vërtetës së zgjedhjeve që fshihet në kutitë e Beratit, Shkodrës dhe Tiranës dhe ne do të mdërmarrim çdo veprim demokratik që largon nga pushteti i vjedhur Sali Berishën.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›