Prokuroria mbyll Paturrin, nuk iu hoq imuniteti
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme vendosi pezullimin e dosjes së deputetit të Partisë Republikane, Hajrulla Paturri, për shkak të mos heqjes së imunitetit nga Kuvendi. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendrorë të akuzës, të cilët u shprehën se deputeti Paturri nuk mund të ndiqet penalisht për shkak të imunitetit, dhe deri në mbarim të mandatit ai nuk mund të procedohet për rrahjen e arbitrit Shkëlqim Guçe, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Iliria-Albpetroli. “Nga hetimet e kryera paraprakisht ka rezultuar se ekzistojnë dyshime të forta dhe prova të mbledhura nga hetimet kryesisht se deputeti i Partisë Republikane Hajrulla Paturri ka kryer veprën të rrahjes për shkak të detyrës, ndaj arbitrit Shkëlqim Guçe mesditën e 30 marsit të këtij viti, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Iliria-Albpetroli të zhvilluar në Fushë Krujë. Pas evidentimit të këtyre provave dhe dyshimeve, i jemi drejtuar Kuvendit të Shqipërisë me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit Paturri, për të vazhduar më pas me procedimin penal ndaj tij. Por Këshilli i Mandateve dhe Rregullores së Kuvendit, pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme nuk e pa të rrugës ta hedhë në votim në Kuvend këtë kërkesë brenda afateve të përcaktuara me ligj, duke i kaluar kështu afatet prej 30 ditëve të shqyrtimit të kërkesës në parlament. Pas mos votimit të kësaj kërkese, deputeti Paturri vazhdon të gëzoj mandatin dhe të mos procedohet penalisht, edhe pse është faktuar me provat paraprake”,- thanë burimet e prokurorisë. Për këtë shkak, dosja është pezulluar deri në momentin që Hajrulla Paturrit ti mbaroj mandati i deputetit, që të rifillojnë më pas procedurat e ndjekjes penale të tij. Sipas kërkesës së prokurorisë, ka rezultuar se shtetasi Hajrullah Paturri, me detyrë funksionale deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i zgjedhur në 3 korrik të vitit 2005 në Fushë- Krujë ka kryer elementët e veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës” ndaj arbitrit të ndeshjes së futbollit Iliria-Albpetrol, shtetasit Shkëlqim Guçe. Gjithçka ka ndodhur në fund të muajt mars, pas ndeshjes Iliria-Albpetrol, kur deputeti Paturri hyri në fushë dhe rrahu në mënyrë barbare arbitrin lushnjar Guçe, dhe më pas në një prononcim për media u shpreh krenar për këtë akt barabar. “E rraha unë arbitrin, por ai e meritoi me atë gjykim që bëri”,- pati thënë Paturri para medias, duke i habitur të gjithë, pasi njeriu i zgjedhur nga populli për ta përfaqësuar në parlament pranoi me krenari se kishte rrahur një arbitër, duke krijuar një precedent të rrallë në botën e futbollit shqiptar. “I gjithë shkaktari i kësaj gjendjeje është gjyqtari dhe pasojat ishin të mëdha. E vërteta është se gjyqtarin e godita unë dhe nuk është goditur nga asnjë futbollist tjetër. Asnjë futbollist mik nuk është goditur. Jemi ndarë si miq në fund të ndeshjes”, -do të deklaronte Paturri, gjatë konferencës për shtyp të organizuar pikërisht për këtë çështje, por që nuk zgjati shumë ku kërkoj falje publike për veprimin e kryer me anë të një letre dërguar Kuvendit.