VIP-at me shkollë nate
Nga aktorja Elvira Diamanti tek sportistët Igli Tare e Romela Bega. Histori suksesi që kanë mundur të sfidojnë paragjykimet për arsimin dhe të bëhen të njohur dhe të respektuar në fushat e tyre
“Bëhu i ditur sepse dituria lartëson popuj. Lufto injorancën pasi, injoranca shkatërron shtete”. Këtë motiv e gjejmë në një shkollë për të cilën qarkullojnë anektoda, por që në fakt, na rezulton një nga shkollat që ka arsimuar disa nga njerëzit më të suksesshëm të Shqipërisë.
Është fjala për shkollën e mesme të përgjithshme me kohë të shkurtuar “Kostandin Kristoforidhi”, e njohur ndryshe si “shkolla e natës”.
Nuk kanë mundur të arsimohen si bashkëmoshatët e tyre për shumë arsye por kanë gjetur forcë dhe vullnet që ndonëse me shkollë nate kanë arritur të bëhen dikush në jetë. Madje shkolla “Kostandin Kristoforidhi” krenohet me ta duke bërë apel se nga bankat e saj nuk kanë dalë vetëm persona të cilët nuk bënë derman në shkollat e ditës por figura nga të cilët mund të marrim shembull.
“Është krijaur idea se shkolla e natës është strehë për ata që nuk mund të kalojnë në shkollat që bëhen me kohë të plotë, pra çdo ditë, por në fakt nuk është kështu pasi historiku i kësaj shkolle tregon se këtu janë ulur disa figura të njohura”,- pohon drejtori i shkollës Munir Sina.
Kështu në faqet e historikut të kësaj shkolle thuhet se nga dyert e saj kanë dalë qytetarë dhe punonjës që i kanë dhënë vendit dhe shoqërisë shqiptare kontribut në fushën e ekonomisë, artit, shkencës dhe sporteve. Në bankat e saj është ulur, p.sh. Flamur Zela, që sot është profesor në fushën e Fizikës Bërthamore. Të njohurit e tij pohojnë se Zela kishte një vullnet të madh për arsimim dhe nga marangoz arriti të shkëlqejë në një fushë të vështirë të shkenës dhe pikërisht atë të fizikës bërthamore.
Më pas përmendet Ymer Minxhozi, shkrimtar dhe publicist, e vazhdoi arsimin për herë të parë në moshën 14- vjeçare. Ndësa në fushën e artit përmendet edhe Elvira Diamanti, aktore e njohur për rolet e saj në disa filma dhe sidomos për rolin e saj kryesor tek filmi “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër”.
Lista e nxënësve që ka studiuar në këtë shkollë vazhdon me gazetaren dhe prezantuesen Fjodora Fjora. Gjithashtu edhe sportistë të njohur si futbollisti Igli Tare, ish-futbollist i Kombëtares dhe lojtar në serinë A të kampinonatit Italian me ekipin Lacio. Edhe Romela Bega, peshngritësja e cila fitoi më shumë medalje se të gjithë sportistët e tjerë në Lojrat Olimpike të Pekinit ka qenë nxënëse e shkollës “Kostandin Kristoforidhi”
Historiku
Shkolla e mesme me kohë të shkurtuar “Konstandin Kristoforidhi” është një ndër shkollat e mbrëmjes më të vjetra në rrethin e Tiranës, e cila e ka nisur funksionimin e saj që në vitin 1945. Qëllimi i hapjes së kësaj shkolle nate ishte që aty të vijonin mësimet ish-nxënësit e shkollës “Qemal Stafa”, të cilët për shkak të Luftës Nacionalçlirimtare i kishin ndërprerë mësimet.
Ndërkohë që ishin të punësuar në sektorë të ndryshëm, ata vazhdonin edhe shkollën. Mësimet në këtë shkollë zhvillohen me programe të veçanta. Me kalimin e viteve, numri i nxënësve erdhi në rritje dhe kjo shkollë nate nisi të përfshijë një kontigjent të larmishëm nxënësish. Nga të dhënat që disponohen në amzën më të vjetër të shkollës, në vitin shkollor 1955-1956 rezultojnë 252 nxënës, ndërsa një vit më vonë 1097 nxënës.
Me kalimin e viteve, krahas shtimit të numrit të nxënësve është shtuar edhe numri i mësuesve që japin mësim në këtë shkollë. Kështu, në vitin shkollor 1975-1976 stafi pedagogjik përbëhej prej 17 mësuesish dhe 3 drejtuesish, shifra këto që ruhen afërsisht edhe sot.
Disa nga njerëzit e njohur të vendit që janë arsimuar në “shkollën e natës”
Flamur Zela, profesor në fushën e Fizikës Bërthamore
Ymer Minxhozi, shkrimtar dhe publicist
Elvira Diamanti, aktore
Fjodora Fjora, gazetare
Ylli Rakipi, botues, gazetar
Shkëlqim Gjata, jurist dhe punonjës në Gjykatën e Apelit
Igli Tare, futbollist
Romela Bega, peshëngritëse
Denis Nuriu, sportist etj
Drejtori Sina: Në këtë shkollë studiojnë edhe 40-vjeçarë
Shkolla e mesme “Kostandin Kristoforidhi” është strehë edukimi për shumë kategori personash. Madje në bankat e saj ulen duke filluar nga 14-të vjeçarët deri tek 40 vjeçarët të cilët duan të kenë të paktën arsimin e mesëm.
Drejtori i kësaj shkolle, na thotë se sot “kjo shkollë i vjen në ndihmë më shumë kontigjentit në nevojë të Tiranës, siç janë ata që jetojnë në gjendje të vështirë ekonomike dhe duan që, krahas arsimimit, të punojnë, si dhe disa personave me aftësi të kufizuara si të verbër dhe invalidë”.
Ai gjithashtu shpjegon se 30 për qind e nxënësve të shkollës kanë vërtet kërkesa ndaj vetes dhe janë të interesuar për të mësuar. Fakt ky që vërtetohet po të përmendim se 30 maturantë që kanë mbaruar shkollën e mesme këtë vit në këtë shkollë kanë fituar studimet e larta, madje edhe për juridik.
Sipas tij 15 për qind e këtij kontigjenti përbëhet nga nxënës që nuk mund t’i përballojnë shkollat e ditës dhe për arsye formimi dhe ekonomike zgjedhin këtë shkollë. Pjesa tjetër e kontigjentit përbëhet nga nxënësit që ngelin. Përqindja e kësaj kategorie nuk është e përcaktuar, sepse varion sipas viteve shkollore dhe luhatet nga 25 për qind deri në 40 për qind.
Sa i takon sistemit të korrespondencës ai pohon se mësimi me këtë sistem, duke u bazuar në numrin e nxënësve të regjistruar, duket se është edhe më i preferuar se ai treditor. Ky sistem ka rreth 1500 nxënës, të cilët sipas drejtorit të kësaj shkolle kanë mbetur në vite pa shkollë të mesme dhe tani u është krijuar mundësia që të formohen edhe me arsimin e mesëm.
Por një kontigjent të rëndësishëm në këtë sistem zënë personat me aftësi të kufizuar, sidomos të verbërit dhe të paralizuarit, të cilët në pamundësi për të gjetur një mënyrë tjetër mësimi kanë preferuar të ndjekin mësimet në këtë shkollë
YMER MINXHOZI / Ish-gazetari i njohur i Zërit të Popullit, rrëfen sfidën e jetës së tij për t’u arsimuar
“Mësova të shkruaj emrin tim në moshën 14-vjeçare”
Për herë të parë i është dhënë mundësia të mësojë të shkruajë emrin e tij në moshën 14 vjeçare. Madje e pohon se deri në këtë moshë vuante analfabetizëm total, por kjo aspak për faj të tij por për faj të kohës që e katandisi në interrnim që kur ishte fare i vogël.
Ndonëse nuk pati mundësi të shkollohej si moshatarët e tij shkrimtari dhe publicisti, Ymer Minxhozi, babai i gazetarit të njohur Skënder Minxhozi, arriti t’ia dilte mbanë.
Ai tregon sot për SH2,sakrificën për arsimim sapo iu dha mundësia të ulej për herë të parë në bankat e shkollës.
Duke pohuar se jetojmë në kohën e paradoseve, Minxhozi tregohet shumë kritik ndaj politikës, ndaj atyre që po ribotojnë librat e tyre dhe ndaj manisë për të riparë historinë, e cila, sipas tij, po shkruhet më e rremë se para viteve ’90.
Jeni shkrimtardhe gazetar i njohur i brezit tuaj. Dhe për arsimimin tuaj kemi dëgjuar çudira. Sa e vështirë ka qenë për të arritur deri këtu?
Arsimimi për mua ka qenë një sakrificë shumë e madhe. Por vetëm vullneti dhe dëshira për arsimim më ndihmoi që t’ia dilja mbanë në jetë. Vetëm në moshën 14-vjeçare kur dola nga interrnimi m’u dha mundësia të arsimohesha.
Kam mbaruar shkollën 8-të vjeçare dhe shkollën e mesme duke studiuar ditën dhe natën. Arsimin e mesëm e përfitova me shkollë nate në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” pasi ishte e vetmja alternativë të cilën nuk doja të humbisja për asnjë arsye.
Gjatë kohës së shkollës së mesme fillova të punoj në gazetën “Bashkimi”. Më pas studimet e larta i mbarova në Moskë. Më pas kam punuar si korrespondent i “Zërit të Popullit” në Pekin, Tibet, Indonezi dhe në shumë vende të Evropës.
Në një libër tuajin, “Borë e zezë”, thuhet që ka diçka autobiografike.
Po. Ka diçka biografike nga lufta që e kam përjetuar vetë. Pastaj, është periudha e tranzicionit. Për këtë periudhë kam shumë vështrime kritike. Këtu kemi atë që quhet qullosja e biografike e shumë të ashtuquajturve intelektualë të cilët nuk duan të jenë ata që kanë qenë.
Por njeriu sado i pasur të jetë, nuk mund ta blejë të kaluarën. Disa të tjerë duan të ngelen të ndershëm por duke i’u përshtatur të gjithë stineve, por edhe kjo nuk është aspak e pranueshme. Disa të tjerë kanë dashur të rishkruajnë librat e tyre. Ideja është “të rishkruaj edhe një herë ronanin që kam bërë në vitet ’60 sepse atëherë kam gënjyer, ndërsa tashmë do ta tregoj pastër” (!).
Këta që i bëjnë këto janë shkrimtarë seriozë, madje Sabri Godo e bëri vetëm para pak ditësh. Këta njerëz po shkelin degën ku e janë ulur.
Por ka qenë diktaturë, apo jo…
Diktatura nuk të detyronte të ishe shkrimtar. Mund të detyronte të shkoje të punoje në kanal ose nëse kishe biografi të keqe të transferonte në ndonjë rreth ose të interrnonte por që të ishe romancier, këngëtar apo artist nuk ta kërkonte me detyrim.
Tani thonë se janë të detyruar të shkruajnë në atë formë. Meqë është kështu, përse nuk heqin dorë edhe nga titujt “artist i popullit” p.sh.?
E vërteta është se midis karakterit dhe talentit paska një humnerë të madhe.
Meqë jemi këtu, ka një debat të hapur për rishikimin e historisë.
Rishikimi i historisë për mua është duke u bërë në disa drejtime, antikombëtar. Dakort që u fillua me Enver Hoxhën por përfundoi te Skëndërbeu. Në Burrel, vedlindjen time, kanë propozuar të heqin bustin e Skëndërbeut dhe ta zëvendësojnë me bustin e Ahmet Zogut. Kjo është e patolerueshme.
Këto gjëra i kam më shumë me ju të rinjtë se po ua shesin sapunin për djathë.
Si shkrimtar, si e gjykoni letërsinë e asaj periudhe?
Shiko, të thotë p.sh Sabri Godo se “nuk ka qenë letërsi ajo që është botuar”, kjo është katastrofë. Unë në fakt, mendoj se veprat më të mira të letërsisë tonë janë shkruajtur gjatë periudhës së realizmit socialist. Flas për letërsinë kontemporane. Kadare p.sh. për mua merr çfarëdolloj çmimi në çdo periudhë vetëm për “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”.
Sipas vështrimit të një gazetari të vjetër, si do ta përmblidhnit, atë që po ndodh me shoqërinë tonë gjatë këtyre 20 viteve të fundit?
Për mua, më tragjik është fakti se ende sot vendi nuk ka shtet. Dikur i kishim vërtet kufijtë të mbyllur, por ama i kishim tanët. Nuk ishte han pa dyer ky vend.
“Nuk kemi shtet”, nuk është një metaforë. Të ngujuarit, p.sh janë një dëshmi e qartë e kësja mungese. Jemi i vetmi vend në Evropë, që kemi njerëz të ngujuar. Këtu ka djem që janë 17 vjeç dhe ende nuk e kanë kaluar pragun e derës se kanë frikë mos i vret hasmi. Çfarë shteti është ky?
Po të kishim shtet nuk do të kufizonim edhe peshkatarët të dilnin në det. Po të kishim shtet nuk do na mbyten njerëzit për të ikur nga vendi i tyre. Po të kishte shtet, nuk do të vriteshin njerëzit si lepuj.
Çfarë shteti është ai që grumbullon gjithë barutin dhe predhat e Shqipërisë mu në dyert e kryeqyetit dhe kryeministri thotë se “nuk dinte gjë”? I njëjti kryeministër që di gjithë biografitë e deputetëve. Jetojmë vërtet në kohën e paradokseve. Mendoni p.sh. që kemi një ministër të Jashtëm të cilit i është hequr imuniteti për korrupsion me qindra milionë dollarë dhe pikërisht ky shëtit botën për të mbrojtur interesat dhe imazhin e Shqipërisë. Kjo të bën pesimist.