Balla: Çdo mjet demokratik për transparencën e zgjedhjeve
Partia Socialiste rishprehu dje qëndrimin e palëkundur, në emër të mbrojtjes së demokracisë në Shqipëri dhe në respekt të votës së lirë të qytetarëve shqiptarë. Ajo garantoi se do të përdorë çdo mjet demokratik që do të mundësojë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputeti socialist, Taulant Balla, theksoi se "Sali Berisha duhet ta ketë të qartë se nëse pretendon se është Kryeministri i një mazhorance legjitime, në asnjë rrethanë, në një vend demokratik, nuk mund të pengojë opozitën në hetimin dhe zbardhjen e të vërtetave që ndodhen në kuti". Sipas Ballës, refuzimi i kërkesës për zbardhjen e zgjedhjeve, refuzimi i këtij kushti bazë për ekzistencën e demokracisë është prova më e qartë e masakrës elektorale që fshihet në kutitë e votimit. Gjithçka që ne kërkojmë, tha deputeti i PS-së, është transparenca, hetimi, dhe administrimi i të gjitha materialeve zgjedhore që janë në kuti, si lista, procesverbale apo edhe fletët e votimit. Deputeti theksoi më tej se "nuk ka asnjë rrethanë ligjore që të pengojë marrjen e çdo informacioni që do të kërkojë komisioni hetimor, pasi nuk ka asnjë pengesë ligjore që të ndalojë hapjen e kutive për qëllime hetimore. Komisioni hetimor për zgjedhjet nuk do të zëvendësojë gjykatën, pasi nuk mund të marrë vendime për rezultatin e zgjedhjeve". Duke përcjellë mesazhin e selisë rozë, Balla shprehte se "ajo çka kërkojmë është brenda kuadrit kushtetues e ligjor që ka një komision hetimor, bazuar edhe në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese sipas të cilave e drejta e Parlamentit për të ngritur komisione hetimore është një prerogativë dhe një mjet i domosdoshëm që i nevojitet Parlamentit për të ushtruar dhe perfeksionuar pushtetin e tij legjislativ". Sipas tij, Shqipëria nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe demokratike nëse nuk hetohen zgjedhjet e 28 qershorit, prandaj ne, thekson Balla, nuk do të tërhiqemi nga kushtet tona. "Nuk mund të ketë zgjedhje demokratike në Shqipëri, kur ndryshe votohet dhe ndryshe numërohet. Nuk mund të ketë zgjedhje të lira në Shqipëri, kur njerëzit hiqen nga puna se votojnë opozitën, apo kur burgjet zbrazen nga superkriminelët që shkojnë të vjedhin vota për pushtetin. Nuk do të kemi ndonjëherë zgjedhje legjitime në Shqipëri, kur pushteti tremb popullin me presione, apo kur vriten deputetët e opozitës", u shpreh Balla. Sali Berisha, vijoi ai, e di mirë se partia më e madhe e shqiptarëve, Partia Socialiste, do të mbrojë me çdo kusht demokracinë dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë. Në vlerësimin e selisë rozë, Shqipëria nuk meriton të ketë zgjedhje si Irani dhe një kryetar qeverie si Ahmadinexhadi, pasi e ardhmja europiane e Shqipërisë është në rrezik nga ky burokrat i vjetër punist, hajdut i votave, i trojeve dhe financave publike.
E.Gjura
E.Gjura