Si u vra Salih Tivari
Salih Tivari është vrarë në zyrën e tij në Komunitetin Mysliman, më 13 janar të vitit 2003. Një person ende i paidentifikuar nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës ka hyrë në zyrën e sekretarit të komunitetit dhe e ka qëlluar atë me dy plumba pistolete. Ishte ora 08.30 minuta e mëngjesit kur u zbulua ngjarja makabre. Tivari është transportuar për në Spitalin Ushtarak në kryeqytet nga punonjësit e komunitetit, të cilët nuk kanë lajmëruar policinë. Ata nuk kanë lajmëruar askënd për ngjarjen, por vetëm kanë transportuar trupin pa jetë në mjediset e spitalit. Asokohe, uniformat blu të kryeqytetit janë lajmëruar nga urgjenca e spitalit dhe kur kanë shkuar në zyrën e viktimës kanë gjetur vendin e ngjarjes të prishur. Ekspertiza ka treguar se Salih Tivari është vrarë me dy plumba, një në qafë dhe një në zemër, të cilët i kanë shkaktuar shok hemorragjik dhe më pas vdekjen. Në vendin e ngjarjes u gjetën katër gëzhoja pistolete. Katër gëzhojat përkojnë me katër plumbat e gjetur po atë ditë në zyrë. Përveç dy plumbave vdekjeprurës, uniformat blu kanë fiksuar edhe një plumb në dritaren e zyrës, në pjesën e duraluminit dhe tjetrin në mur. Të katër këto plumba, së bashku me gëzhojat u dërguan në laboratorin qendror të kriminalistikës për ekspertizë, e cila konfirmoi se ato kanë dalë nga gryka e së njëjtës armë. Disa vjet pas ngjarjes, antiterrori në Policinë e Tiranës ka shoqëruar në polici pikërisht Artan Kriston, si i dyshuar për vrasjen e Tivarit. Pas verifikimeve dhe dëshmisë, ai është lënë i lirë, por pasaporta e tij është bllokuar.