Prokuroria ndan dosjen e Gërdecit

Pas dëshmisë së Efraim Diverolit të mbërritur pak ditë më parë në Prokurorinë e Përgjithshme, burime nga prokuroria shprehen se dosja e Gërdecit do të ndahet në dy pjesë. Në pjesën e dosjeve që bën fjalë për shitjen e municioneve, abuzimet me to duke i shitur nën vlerë dhe dëmin e shkatuara shtetit, dhe në pjesën, që i përket ngjarjes se shpërthimit në fabriken e demontimit të armëve në Gërdec. Sipas burimeve nga prokuroria, pjesa e cila ka të bëjë me trafikun e municioneve jashtë vendit mund të mbahet në hetim më qëllim që të zbulohen përgjegjësit kryesorë të këtij skandali. Nevoja për hetime të mëtejshme në këtë drejtim, sipas burimeve zyrtare është më evidente pas dëshmisë së dhënë prej biznesmenit amerikan Efraim Diveroli, i cili u është përgjigjur 25 pyetjeve të prokurorisë shqiptare në lidhje me trafikimin e fishekëve jashtë vendit. Gjatë dëshmisë së tij Diveroli është shprehur se nuk ishte në dijeni se fishekët ishin prodhim kinez. Burime nga prokuroria bëjnë me dije se afati hetimor për dosjen e Gërdecit përfundon në mes të muajti mars. Të paktën për pjesën e fashikullit që bën fjalë për Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin dhe Dritan Minxollin, tre të arrestuarit e vetëm për ngjarjen, dosja duhet të dërgohet në gjykatë para 15 marsit 2009-të, në të kundërt do të ketë përplasje,pasi ky është afati i fundit, kur dosja që bën fjalë për ngjarjen e Gërdecit mund të mbahet nën hetim. Kjo për shkak se në kuadër të kësaj dosje, në paraburgim ndodhen tre persona të arrestuar, për tragjedine e Gërdecit, të cilët sipas ligjeve në fuqi nuk mund të mbahen pafundësisht në qeli, derisa nuk janë shpallur fajtorë.