E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria në Bashki, sekuestrim dokumentave për sheshin Skënderbej

Flamur Vezaj
TIRANË- Hetuesit e Task-forcës së prokurorisë së Tiranës, pritet që gjatë javës që po vjen të zbarkojnë në zyrat e Bashkisë së kryeqytetit, konkretisht në zyrat juridike dhe të prokurimeve të këtij institucioni, për të sekuestruar materialet shkresore në lidhje me ndërtimin e sheshit Skëndërbej. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit qendror të akuzës, sipas të cilave, është lëshuar vendimi për sekuestrimin e të gjitha materialeve shkresore që ka të bëj me rikonstruktimin e sheshit Skëndërbej si dhe ndryshimin e projektit të punimeve në këtë shesh.

Është kërkuar nga Bashkia e Tiranës, që të vërë në dispozicion të hetimit të gjitha materialet shkresore që kanë të bëjnë me rikonstruktimin e sheshit Skënderbej, të cilat do ti nënshtrohen një hetimi për arsyen e ndryshimit të projektit të punimeve në këtë shesh. Do të sekuestrohet vendimi i Këshillit Bashkiak i marr në kohën e drejtimit të Bashkisë nga kreu u opozitës z.Edi Rama si dhe të gjitha materialet e firmosura për rikonstruktimin e këtij sheshi pas ardhjes në detyrë të z.Lulëzim Basha. Do të verifikohen procedurat e ndjekura dhe fondet e shpenzuara për ndryshimin e projektit të këtij sheshi-thuhet nga këto burime.

Sipas tyre, pritet edhe marrja në pyetje e të gjithë këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak të cilët janë edhe firmëtarë të kallëzimit të bërë ndaj zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës për ndryshimin e projektit të punimeve në sheshin Skëndërbej. Në kallëzim, theksohet gjithashtu se duke filluar nga faza e projektimit dhe në vijim të zbatimit të fazës së parë të projektit, janë investuar rreth 5 milionë euro të cilat tashmë janë varrosur poshtë betonit të hedhur për shtrimin e rrugës. Hetimet kanë nisur për akuzën e shpërdorimit të detyrës duke i shkaktuar shtetit një dëm të konsiderueshëm, çka do të shtyjë hetuesit për të kryer edhe një ekspertizë të punimeve për të konstatuar edhe dëmin financiar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›