Prokuroria nis hetimet ndaj Bashës për sheshin Skënderbej
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për ndryshimin e projektit të sheshit Skënderbej duke grumbulluar fillimisht të gjithë dokumentacionin shkresor të çështjes. Hetimet janë duke u kryer nga njësia njësi task-forcë në organin e akuzës të kryeqytetit pas denoncimit të kryer nga disa këshilltarë bashkiakë të opozitës.
Këshilltarët socialistë të kryeqytetit, të përfaqësuar nga Aldrin Dalipi, kanë depozituar kallëzimin penal ndaj shtetasit Lulzim Basha, me detyrë kryetar i Bashkisë, si dhe personave të tjerë përgjegjës, për kryerjen e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal. Kallëzuesit kërkojnë nga prokuroria që të verifikojnë dëmin financiar që është kryer për shkak të ndryshimit të punimeve në sheshin Skënderbej.
Pas betejës së gjatë ligjore midis dy kandidatëve në zgjedhjet e 8 majit, Edi Rama dhe Lulzim Basha, ky i fundit sapo mori drejtimin e Bashkisë së Tiranës nisi ndryshimin e projektit të sheshit të kryeqytetit, ndonëse në të po zbatohej një projekt. Kjo ndërhyrje, ka sjellë dhe reagimin e përfaqësuesve të opozitës në Bashkinë e Tiranës, të cilët kanë kërkuar nga prokuroria e kryeqytetit që të ndiqen penalisht abuzuesit pasi, sipas tyre, duke filluar nga faza e projektimit dhe në vijim zbatimit të punimeve të fazës së parë të projektit, janë investuar rreth 5 milionë euro. Por, burime nga Prokuroria e Tiranës, bëjnë të ditur se prej pak ditësh kanë nisur në drejtim të Bashkisë së kryeqytetit një kërkesë në të cilën kërkohen informacione mbi projektin e sheshit Skënderbej. Njësia e task-forcës ka kërkuar që administrata tiu vendosë në dispozicion dokumentacionin përkatës për ndryshimin e projektit. Gjithashtu ata kërkojnë arsyet e vendimmarrjes së ndryshimit të projektit në një kohë kur zbatohej një tjetër projekt i cili kishte nisur zbatimin e tij prej kohësh. Përmes këtyre kërkesave do të vlerësohet nëse ka një dëm financiar apo jo. Një tjetër kërkesë i është drejtuar dhe kallëzuesit, Aldrin Dalipi, për të dorëzuar materiale shtesë.
Këshilltarët socialistë pretendojnë se nuk ka asnjë vendimmarrje ligjore për të ndryshuar projektin dhe lejen e ndërtimit të sipërcituar dhe kallëzuesi nuk është në dijeni të mekanizmit faktik vendimmarrës, si dhe mënyrës se si po kryhen dhe financohen punimet për asfaltimin e sheshit Skënderbej. Sipas tyre, asfaltimi i pothuajse gjithë sheshit dhe ndryshimi faktik i projektit në këtë fazë të tij përbën shkelje flagrante të ligjit Për urbanistikën si dhe ligjit Për planifikimin e territorit. Ndërsa është e panjohur kostoja e deritanishme e punimeve, e cila gjithsesi, duke pasur parasysh volumin e madh të tyre, duhet të llogaritet mbi një milionë euro, vlen të theksohet se këto punime në qendër të një kryeqyteti europian, po kryhen pa pasur një projekt të miratuar sipas ligjit. Gjithashtu, këto punime janë duke shkaktuar një dëm të madh ekonomik publik, pasi praktikisht janë duke e shndërruar në zero vlerën prej rreth 5 milionë eurosh të investuar deri tani si dhe kanë vënë në pikëpyetje vijimin e financimit të këtij projekti në përputhje me procedurat ligjore, thuhet në kallëzimin e dorëzuar në prokurori nga zyrtarët socialistë.
Dyshimi
Kemi arsye të dyshojmë se fshihen interesa klienteliste dhe afera korruptive, që synojnë jo vetëm shkatërrimin e projektit dhe të qendrës, por që mund të sjellin dëme të pallogaritshme për të ardhmen e zhvillimit urbanistik të të gjithë qytetit të Tiranës, – thuhet në padinë e këshilltarëve socialistë.
Bashkia e Tiranës largon 300 punonjës nga puna
Bashkia e Tiranës do të largojë nga puna rreth 300 punonjës nga katër ndërmarrje të që janë në vartësi të bashkisë. Konkretisht shkurtimet prekin ndejshëm ndërmarrjet me numër 1, 2 dhe 3 dhe ndërmarrjen e shërbimit funeral. Kjo është pranuar dje nga nënkryetarja e bashkisë, Jorida Tabaku, e cila ka shpjeguar se largimet nga puna po kryhen me vendim të Këshillit Bashkiak. Pas një analize që iu bë punës që kryenin këto ndërmarrje, u pa se për të njëjtën punë paguheshin dy grupe të vendosura, në struktura organizative të ndërmarrjeve të ndryshme. Ristrukturimi i Ndërmarrjes së Shërbimit Funeral është bërë, pasi funksionet e pastrim – gjelbërimit të të gjithë territorit të Tiranës, përfshirë edhe hapësirat e varrezave duhet të kryhen nga Ndërmarrja Nr.1, e cila ka pikërisht funksion pastrim – gjelbërimin. Një situatë e tillë paraqitet edhe me shërbimin e pastrimit, ku ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka të kontraktuara 5 firma që pastrojnë qytetin e Tiranës, në të njëjtën kohë dhe për të njëjtin funksion paguheshin edhe një numër i konsiderueshëm punonjësish, në Ndërmarrjen nr.1,- tha dje Tabaku.
Ajo shpjegoi se në këto katër ndërmarrje do të ketë një reduktim stafi i cili shkonte rreth 300 punonjës. Për të gjithë punonjësit e larguar bashkia u ka premtuar pagesën e rrogës së dy muajve si dhe regjistrimin e tyre në listën e punëkërkuesve. Tabaku tha se vendimi është marrë që në tetor dhe zbatimi ka nisur këto ditë duke iu komunikuar punonjësve largimi nga puna. Dhjetë ditë pas marrjes së vendimit të Këshillit Bashkiak, të gjithë njësitë që kanë pasur prekje në staf u është komunikuar ky vendim dhe ato kanë komunikuar, si me Sindikatat dhe Ministrinë e Punës, për të bërë lajmërimet. Vendimi është marrë në tetor, për të lejuar dy muaj kohë, që të fillonte zbatimi në janar, ndërkohë që ne duhej të plotësonim edhe detyrimet financiare që lidheshin me këtë. Ne vetëm kemi reflektuar ndryshimet që ato kanë propozuar, plus që ka pasur edhe ndryshime të tjera që ishin të imponuara nga vendime të Këshillit të Ministrave, p.sh Cirku i Tiranës nuk i përket më pushtetit lokal, por i përket pushtetit qendror,- tha Tabaku. Largimi i punonjësve nga puna ka ulur me 4% fondin e pagave të bashkisë duke treguar edhe nivelin e ulët të pagave që kishin këta punonjës.
Ndërmarrjet që preken
Ndërmarrja nr.1, që merret me pastrimin dhe gjelbërimin
Ndërmarrja nr.2 që kujdeset për mirëmbajtjen e rrugëve dhe ndriçimin
Ndërmarrja nr.3, e cila merret me mirëmbajtjen e shkollave
Ndërmarrja e Shërbimit Funeral