Prokuroria nuk i ndahet Kurtit, i dërgon sërish thirrjen për tu paraqitur për të dhënë dëshminë

Prokuroria Speciale i ka bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore .
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi,
Ky hap vjen pasi shefi i qeverisë ka refuzuar të paraqitet dy herë në prokurorinë speciale.
Organi e akuzës e ka thirrur kryeministrin në detyrë më 11 dhjetor. Që atëherë kryeministri ka deklaruar se është i gatshëm të japë dëshminë, por ka theksuar se prokurorët mund ta marrin atë në zyrën e tij, një praktikë që sipas Kurtit është ndjekur edhe më parë.
Në Kodin e procedurës penale thuhet se një gjyqtar, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet. Nëse pas urdhrit ai sërish refuzon të shkoj, gjobitet me 250 euro . Sakaq nëse rezistenca e tij vijon edhe pas gjobave ai mund të burgoset , por jo më shumë se një muaj.
Në vitin 2023, 3 persona u arrestuan për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë,dhe Tregtisë që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila ka dëshmuar në prokurorinë speciale.
/vizionplus.tv