E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria pret përfaqësues të OFPRA: Hetim të plotë për azil-kërkuesit e rremë

Prokuroria Shqiptare është e angazhuar maksimalisht në hetimin dhe ndjekjen e çdo rasti të atyre që konsiderohen azil-kërkuesit e rremë. Fokusi është sidomos tek ata qytetarë shqiptarë të cilët përdorin dokumente të fallsifikuara si të përfshirë në gjakmarrje për të përfituar statusin e azilantit në vendet e Bashkimit Evropian.

Ky qëndrim u ritheksua ngazyrtarë të Prokurorisë së Përgjithshme në një takim të zhvilluar me përfaqësues të misionit Zyrës franceze të Mbrojtjes së Refugjatëve dhe Personave pa shtetësi OFPRA, të cilët shoqëroheshin nga ambasadorja e Republikës së Francës në Shqipëri, Christine Moro.

Krahas luftës kundër fenomenit të gjakmarrjes në vendin tonë, organi i Prokurorisë jep garanci se do të vijojë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet franceze, por edhe ato të vendeve të tjera të BE-së për të parandaluar abuzimin e qytetarëve të ndryshëm shqiptarë nga liberalizimi i vizave.

Zyrtarëve francezë në këtë takim iu përcoll nga pala shqiptare vendosmëria e Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për të evidentuar dhe ndëshkuar të gjitha rastet e azilantëve të rremë. Llalla ka prezantuar më pare qëndrimin se ky është një fenomen që, megjithëse nëpër masa të vogla krahasuar me disa vende të tjera, nëse nuk parandalohet, mund ti kushtojë rëndë të gjithë shqiptarëve që kanë shpresuar dhe punuar për të arritur aspiratën e lëvizjes së lirë.

Për këtë arsye, Prokuroria e Përgjithshme zhvillon kontakte të vazhdueshme me strukturat e tjera ligjzbatuese në Shqipërisë, si edhe me autoritetet homologë në vendet e Bashkimit Evropian ku ky fenomen është më i ndjeshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›