E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria serbe ndihmoi EULEX për hetimet në Kosovë

Mediat serbe kanë publikuar të dhënaqë dëshmojnë se Prokuroria serbe ka ndihmuar EULEX-in në hetimet e krimeve të luftës në Kosovë. Sipas mediave në Serbi, EULEX ka punuar paralelisht me prokurorinë e Serbisë sa i takon zbardhjes së rastit "Kleçka", ku i akuzuari kryesor është Fatmir Limaj. Në këtë rast, Prokuroria e Serbisë ka ndihmuar misionin EULEX, duke identifikuar viktima dhe duke marrë në pyetje dëshmitarët e krimeve të luftës të kryera në vitin 1999 në fshatin Kleçkë. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja serbe "Danas", e cila shkruan se një ekip i EULEX-it nisi gërmimet për zhvarrosjen e viktimave në fshatin Kleçkë në shtator të vitit 2009. Sipas gazetës, prokuroria serbe për krimet e luftës po në të njëjtin vit kishte nisur hetimet ndaj Fatmir Limajt për raste të tjera të krimeve ndaj popullsisë serbe.
REAGIMI
Ndaj lajmit të publikuar në mediat serbe mbi bashkëpunimin e EULEX-it me Pro-kurorinë e Serbisë, ka reaguar Tahir Rrecaj, avokat i Fatmir Limajt. Ai ka deklaruar se nuk është befasuar aspak nga ky lajm. "Serbia ka pasur ndikim në rastin 'Kleçka'. Kam deklaruar edhe më herët se presionet që kanë ardhur në këtë rast kanë qenë nga Beogradi në drejtim të Brukselit dhe pastaj në drejtim të EULEX-it", - ka deklaruar Rrecaj. "Ky proces është i bazuar në spekulime të hetuesve serbë për krimet e luftës. Patjetër që Serbia ka ndërhyrë, ka ndikuar dhe ka fabrikuar prova e dëshmi, të cilat fillimisht ia ka parashtruar UMNIK-ut dhe pastaj EULEX-it", - ka sqaruar ai.
KUVENDI
Kuvendi i Kosovës pritet të hapë një debat lidhur me hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës nga ana e EULEX-it. Debati është hapur fillimisht nga deputetët e PDK-së, dhe menjëherë janë hasur kundërshti nga ana e opozitës, sipas së cilës debati është i pavlerë, pasi PDK-ja ka devijuar nga qëllimi. Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi ka deklaruar për mediat se kjo çështje nuk është e përshtatshme të diskutohet në parlament, por para organeve të drejtësisë. Megjithatë ai ka sqaruar se meqë procedurat janë plotësuar për debat, Kuvendi mund ta ketë si pikë të rendit të ditës këtë çështje ditën e enjte. "Mendoj që nuk është krejt çështje e Kuvendit, pasi sistemi i gjyqësisë është një sistem i pavarur dhe shtyllë e veçantë e shteteve. Por, deputetët e kanë bërë një kërkesë sipas rregullores së punës së Kuvendit dhe Kryesia atë kërkesë duhet t'ia procedojë seancës dhe aty të merret vendimi", - ka thënë Krasniqi. Vetëm një javë më parë, kryeministri Hashim Thaçi tha përpara Komisionerit të BE-së për Zgjerimin, Stefan Fule, se qeveria e tij do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me EULEX-in në funksion të vendosjes së rendit dhe ligjit në vend. Mandati i EULEX-it buron në bazë të vendimeve të Bashkimit Evropian dhe rishikimi i tij mund të bëhet nga Brukseli gjatë qershorit të vitit 2014. Kurse institucionet e Kosovës vetëm i kanë bërë një ftesë formale këtij misioni me çka i është aprovuar ky mandat.
(e.m/GSH/BalkaWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›