E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promemorie për të mbrojtur trashëgiminë kulturore

Rrjedhimisht, të gjitha diskutimet kanë çuar në një tezë të përbashkët: tryeza duhet të prodhojë një plan konkret veprimi. Në këtë takim nuk ishte i pranishëm asnjë përfaqësues i institucioneve shtetërore të kulturës, ndonëse Artan Shkreli bëri të ditur se ftesa kishte shkuar për të gjithë. Pas fjalës së Shkrelit, i cili ishte njëkohësisht edhe nismëtari i kësaj tryeze, që shpalosi rrezikun e zhdukjes përditë të vlerave të trashëgimisë kulturore shqiptare, diskutimi u vërtit rreth punës që bëjnë sot institucionet e kulturës për mbrojtjen e trashëgimisë, ndjeshmërisë që shoqëria shqiptare shfaq ndaj këtyre vlerave, rëndësinë e një procesi edukativ mbi trashëgiminë për brezat e rinj, duke shkuar edhe në propozime si ai i historianit Dritan Egro që nga kjo tryezë të lindte një fondacion, i cili të vepronte në terren paralelisht me institucionet shtetërore.

Të pranishmit iu bashkuan promemories së hartuar me këtë rast, drejtuar krerëve më të lartë të shtetit, por edhe Akademisë së Shkencave, Shoqatës së Bashkive por edhe Shoqatës së Komunave. Duke bërë sugjerime që do të gjejnë pasqyrim në këtë promemorie, pas një pasqyre të situatës reale të trashëgimisë sot, specialistët kanë hartuar disa kërkesa drejtuar politikës, qeverisë dhe bashkive që kanë në administrim pasuri kulturore. Nga politika kërkohet vëmendje ndaj situatës së rënduar tashmë prej vitesh të mbijetesës së trashëgimisë kulturore të shqiptarëve.

Nga qeveria kërkohet rritje të ndjeshmërisë së të gjithë piramidës institucionale ndaj trashëgimisë kulturore si dhe mospenalizimi i buxheteve tejet modeste, të planifikuar për trashëgiminë kulturore. Specialistët kanë kërkuar integrimin nëpër strukturat e trashëgimisë kulturore të prurjeve të reja të shkolluara e të specializuara. Një tjetër pikë ka të bëjë me kërkesën drejtuar qeverisë për ndërmarrjen e një fushate thelbësore, me qëllim çlirimin e objekteve të trashëgimisë kulturore nga ndërtimet pa leje apo me leje të jashtëligjshme. Në kushtet kur vazhdon të diskutohet ende për reforma apo për ligjin e trashëgimisë, kjo tryezë sugjeroi përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes në fushën e trashëgimisë kulturore, si dhe kontrollin e fatit të asaj pjese të trashëgimisë kulturore që në procesin e decentralizimit, transferohet në administrim apo në pronësi të qeverisjes vendore.

Duke mos lënë mënjanë këtë të fundit, specialistët kanë kërkuar po ashtu rritjen e vëmendjes ndaj trashëgimisë kulturore në administrimin e tyre, ngritjen e zyrave, sektorëve apo drejtorive që mbulojnë fushën e trashëgimisë, si dhe ruajtjen e muzeve të qyteteve, historikë apo tematikë qofshin. Një pikë kritike është ajo që ka të bëjë me marrjen parasysh në procesin e planifikimit urban të trashëgimisë kulturore ekzistente apo potenciale që gjenden në territoret që këto njësi vendore administrojnë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›