Promovim për ushqyerjen e shëndetshme, nxënësit e shkollës “Demokracia” në Korçë mbjellin perime

Në parcelat e kopshteve komunitare pranë Parkut Japonez në Korçë, nxënësit e klasës së pestë të shkollës “Demokracia” zhvilluan një aktivitet edukues mbi rëndësinë e ushqimit të shëndetshëm dhe kujdesin për mjedisin.
Të shoqëruar nga mësuesit e tyre, fëmijët mbollën fidanë specash dhe domatesh, duke u njohur nga afër me procesin e kultivimit të perimeve dhe rëndësinë e punës në komunitet.
Mësuesja Rajmonda Mullaymeri u shpreh për RTSH se, “Ky aktivitet ka për qëllim ndërgjegjësimin, informimin mbi kopshtet komunitare dhe ushqimet e shëndetshme. Fëmijët marrin pjesë me shumë kënaqësi, duke u afruar më pranë kopshteve komunitare dhe duke zhvilluar dashurinë për natyrën.”
Përveç mbjelljes së perimeve, nxënësit prezantuan punimet e tyre, interpretuan vjersha dhe dhanë mesazhe mbi temën e ushqimeve të shëndetshme dhe mbrojtjes së mjedisit.
“Ne për këtë aktivitet kemi organizuar shumë postera me poezi, të cilat shfaqin mesazhe të mira për ne fëmijët, por edhe për të rriturit, për ndërgjegjësimin ndaj mbjelljes së komunitetit. Ne kemi ardhur këtu, te kopshtet komunitare, për të mbjellë fruta dhe perime. Këto janë shumë të rëndësishme për fëmijët,” thanë nxënësit.
Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me projektin eTwinning dhe kopshtet komunitare të Bashkisë Korçë, me qëllim ndërgjegjësimin e fëmijëve për një stil jetese të shëndetshëm, bashkëpunimin dhe përgjegjësinë ndaj natyrës.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/