E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovimi/ Berisha Montefiore qendron ne krye te botimeve per historine

“Një prej penave më të shquara të kësaj kohe që ka shkruar për historinë,” e ka cilësuar kryeministri Sali Berisha shkrimtarin anglez, Simon Sebag Montefiore gjatë promovimit nga shtëpia botuese “55”, të disa prej librave të tij si “Stalini”, “Në oborrin e Carit të kuq”, “Jeruzalemi”, “Stalini i ri”, “Sashenka, Katerina e madhe dhe potemkini”.

Ndërsa vlerësoi se “Montefiore qëndron sot në krye të botimeve për historinë, por dhe letrave", kryeministri Berisha theksoi se "në një hark kohor të shkurtër, librat e tij, botimet e tij janë shpallur botimet e shekullit”.

Referuar botimit të Montefiores mbi Stalinin, udhëheqës komunist rus, Berisha u shpreh se “Vepra e zotit Montefiore ndriçon me vërtetësi të madhe të gjitha aspektet e njeriut që ndërtoi sistemin që u provua si eksperimenti më tragjik në historinë e njerëzimit. Një eksperiment që kushtoi ndofta qindra milion jetë, një eksperiment që, ashtu siç thotë Bernard Henri Levy u servir me fytyrë njerëzore, një barbari me fytyrë njerëzore. E vërteta është se ky sistem është hedhur sot poshtë me vendosmëri nga kombet në Europë. 20 vjet më parë, regjimet e këtij sistemi ranë njëra pas tjetrës, u shembën nga një seri faktorësh, por përmasat e barbarisë së këtij sistemi janë qartësisht të pavlerësuara sa duhet. Një përpjekje të madhe po bëhen në Shtetet e Bashkuara me muzeun e viktimave të komunizmit, kurse në Europë është vendosur pothuajse jo censura, por një lloj harrese e kërkuar dhe kjo është për të ardhur keq, madje shpesh të krijohet përshtypja se ai pluhur toksik i ideologjisë e propagandës është shpërndarë më i holluar, por sërish qarkon në kontinentin tonë”.

Ai vlerësoi se "një përpjekje të madhe po bëjnë SHBA-të me muzeun e viktimave të komunizmit, kurse në Evropë është vendosur pothuajse jo çensura, por një lloj harrese e kërkuar dhe kjo është për të ardhur keq. Madje shpesh të krijohet përshtypje se pluhuri toksik i ideologjisë dhe propagandës së shpërndarë, po qarkullon sërish në kontinentin tonë”.

Duke iu drejtuar shkrimtarit anglez, Berisha theksoi se, “Shqipëria është një vend i vogël, shqiptarët janë një vend i vogël, por ju garantoj se veprat tuaj nuk vlerësohen më shumë se sa tek shqiptarët, të cilët kishin për 45 vjet Stalinin e klonuar tek Enver Hoxha".
Në këtë konktekst, kryeministri e vlerësoi diktatorin komunist Hoxha, si "diktator që imitoi në mënyrën më autentike, egërsinë dhe barbarinë e Stalinit ndaj popullit të tij, madje e tejkaloi atë në ndonjë qëndrim të tij. Të dy këta ishin ateistë, por ateizmi total shtetëror u vendos vetëm në Shqipëri. Dhunimi që i bëri ndjenjës fetare, ishte dhunimi me ekstrem i Staklinit shqiptar, ndaj shqiptarëve".

Vetë historiani anglez duke shprehur mirënjohjen, theksoi se ndihet i lumtur që ka mbërritur në Tiranë, ndërsa vlerësoi se "ky vend ka shkrimtarë të njohur".

Shkrimtari dhe historiani i njohur anglez Simon Sebag Montefiore u nderua paraditen e sotme me titullin “Doctor Honoris Causa” nga rektorati i Universitetit të Tiranës, të cilën ja dorëzoi rektori Dhori Kule.

Historiani dhe shkrimtari anglez ka promovuar në Tiranë pesë librat e tij, botuar në gjuhën shqipe, ku më i fundit e më i njohuri është “Jeruzalem”, që cilësohet si një biografi dhe një histori e re mbi Lindjen e Mesme.

Shkrimtari Simon Sebag Montefiore konsiderohet si "ati i historisë moderne", ndërsa libri i tij “Jeruzalemi” kryeson listën e librave më të shitur.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›