Promovimi politik i abetares
Fadil Lepaja
Si në çdo abetare edhe ne po e fillojmë me shkronjën A. Pra, Atifetja, pastaj Bamiri. Pas tyre Edi, Hashimi, Isa, Sala e kështu me radhë… Kështu prita të jetë edhe renditja e folësve në promovimin e abetares së parë kombëtare. E donte pra rendi, pasi u përfol mungesa e ideologjisë në abetare, të jenë prezentë të gjithë pa marrë parasysh dallimet politike. Shumë mendojnë se nuk ka asnjë dallim ideologjik në teatrin tonë politik (anti) kombëtar. Të gjithë janë të njëjtë; me vështrimin e ngulur te xhepat tonë si piratë politikë që përpiqen të qasen në llogaritë tona bankare. Por të kthehemi te abetarja, alfabeti dhe oratorët tanë që në Prizren po nxirrnin zjarr të kuq e tym të zi nga goja. Atifetja, sipas një protokolli, kishte pritur të fliste e para, por ajo nuk kishte merita për abetaren. Asaj nuk i njihet asnjë meritë përpos zarfit dhe Kodit Penal të cilin e bëri prapakthehu. Pastaj abetarja nuk fillonte me të. Fillon me A, por Sali Berisha nuk e priti dot radhën. Sipas alfabetit e protokollit pas Atifetes duhej të fliste Bamiri, presidenti i vendit fqinjë. Por as kjo nuk ndodhi pasi sipas Salës dhe Hashimit vëllezërit i kemi në Turqi. Bamiri duhej të fliste si presidenti i vendit fqinj sepse ne rrethohemi me shqiptarë. Por Sali Berisha ua hodhi edhe këtë herë. Ai quhet Berisha Sali. Pra fillon me B. Kështu foli i pari me pasion sikur përpiqej të shpërlante tërë zdralin korruptiv që para pak ditësh ia kishte hedhur fytyrës një gazetar hulumtues nga Kosova duke e akuzuar për projektin e interkonjeksionit të bllokuar nga burokracia e tenderëve. Pas tij foli Hashimi i cili me shkathtësinë e tij për të qëndruar në pushtet, po e mahnitë edhe vetveten. Jo se të tjerët po bëjnë përpjekje serioze ta rrëzojnë nga pushteti, por ai po luhatet vet. Ai mbahet sepse po e mbajnë për fundshpine burokratët ndërkombëtarë të cilët duan të kryejnë përmes tij ca punë këndejpari dhe të shpërlajnë disa para. Këtë disa kuptojeni kushtimisht. Mund të jetë fjala për qindra milionë. Tanët gjithsesi llogarisin me lekë,e të tjerët me dollarë. Por në këtë promovim kombëtarë nuk ishin askush tjetër nga skena politike dhe kombëtare. Kjo ra në sy, por nuk u tha se përse. Nuk i kanë thirrur apo nuk kanë ardhur? Nuk ishte opozita politike apo shkencore. Kjo pasi lufta kombëtare zhvillohet edhe në fushë të shkencës. Heronjtë dhe mitet kacafyten mes vetes në kokat tona. Abetarja sot fillon me S dhe u mbyll me H. Ky tandem pelivanësh që na drejton të ndarë, i hipën dikur eskavatorit në Kalimash duke bashkuar duart si në një pikturë të realizmit socialist duke na nxjerrë mallin për kohët e shkuara.