E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetë që sillen si adoleshentë

Andi Kanani

Jurist

Deputetët që votojnë për shokun, ka dy aspekte për tu marrë në konsideratë. Fakti që janë të tmerruar të mungojnë se kjo detyrimisht do ti penalizonte, i çon drejt veprimeve adoleshenciale ku për ta plotësuar do të duheshin dhe puçrrat e pubertetit, dhe kërkesa për tu paraqitur në punë me prindin përdore. Kjo pjesë e karakterit që vetëm për ti marrë me të mirë zotërinjtë gënjeshtarë do ta quanim rini e përjetshme, tregon më se mirë për mungesë të plotë personaliteti. Ne kemi zgjedhur të na prezantojnë në këto momente historike, fëmijë që lozin politikash në kohën që nuk e kanë të zënë me pasurim të padenjë. Ana tjetër për tu marrë në shqyrtim, dhe për tu vënë në evidencë, është fakti se nga këto veprime deputetët përfitojnë pagesë të pamerituar. Nëse prezenca e tyre jo reale shkakton vetëm vjedhje të qytetarëve, e shikoj me vend që numri i deputetëve të jetë më i ulët. Nëse është kaq e vështirë që të kontrollohen, atëherë le të jetë vetëm numri substancial prezent në sallë. Kësisoj le të paguhen vetëm ata pak njerëz që e kanë me seriozitet këtë funksion. Besoj se aktiv në parlament janë rreth 20 deputetë, e pse jo, kaq le të jetë dhe numri i të përzgjedhurve me votim. Si përfundim nuk mund të hiqem i habitur. E dimë mirë se sa vlerë ka prezenca ose jo e deputetëve në parlament. Vlerën e 0-s. Nëse mungon një zero, prapë zero ngelet rezultati përfundimtar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›