Sezoni turistik dhe indiferenca e qeverisë
Stefan Çipa / Kryetar i Bashkisë Sarandë
Këtë fundjavë Saranda zyrtarizoi çeljen e sezonit të ri turistik “Verë 2012″. Bashkia në bashkëpunim të ngushtë me biznesin dhe me qytetarët e vet, u kujdes që kjo të bëhej në sfondin e një fytyre dhe përmbajtjeje të re që iu dha qytetit. Ia dolëm që pas një pune disamujore të jenë për të përgatitur jo vetëm plazhet dhe hotelet për të pritur miqtë e stinës së nxehtë, por edhe me një infrastrukturë të përtërirë dhe duke përmirësuar dukshëm ofertën tonë turistike. Kujdesi i parë nisi nga tre plazhet brenda në qytet, të cilat u zgjeruan nga 8 në 30 metra e u pasuruan me rërë. Këtë verë çdo vizitor që do të zgjedhë të vizitojë apo të pushojë në Sarandë, do ta gjejë atë me më shumë sipërfaqe të gjelbra, pasi me punën tonë ngulmuese i kemi dhënë goditjen e parë të fuqishme betonit, duke mbjellë lule dhe pemë, që llogariten më shumë se njëmijë rrënjë. Po kështu, sheshi kryesor i qytetit, që prej vitesh ishte kthyer në një parking kaotik, iu kthye qytetarit, këmbësorit dhe pushuesit. Një ndër pikat ku është orientuar e drejtuar puna e qeverisjes vendore është që të thyejmë traditën e keqe të kufizimit të sezonit veror të një qytete si Saranda, me 300 ditë diell në vit dhe me mundësi pelegrinazhi turistik në 120 asetet turistike të kategorisë së parë. Për ne është non sens që ato të vizitohen vetëm në verë dhe dimrit të lihen në gjumë. “Saranda, shtëpia e pushimeve tuaja”, është slogani ynë dhe jemi në provë të vetvetes për ta realizuar në praktikë cilësi të reja. Për ne kjo do të thotë që pastërtia, gjelbërimi, gatimi dhe shërbimet turistike të jenë në një qytet të tërë ashtu siç i kemi në shtëpitë tona. E vetmja që vjen në kontrast me këtë klimë dhe me këtë ambicie që ka Saranda, është shpërfillja e kudondodhur nga qeverisja qendrore. Mund të numëroj një radhë investimesh të lëna përgjysmë e ku as nuk punohet, duke e bërë një ëndërr të prishur afrimin e Sarandës me Tiranën, si dhe komoditetin e hyrjes në qytetin e turizmit. Edhe në një vështrim më formal, është e dallueshme braktisja e Sarandës nga qeveria. Për vite me radhë kryeministri Berisha do të ishte i pranishëm të paktën tre herë në vit. Kësaj kujdesjeje të dikurshme personale e qeveritare të kryeministrit Berisha, nuk ke çfarë t’i vësh përballë në një vit të tërë pas 8 majit 2011. I vetmi autoritet qeveritar që ka shkelur në një vit, është ministri Bumçi, në marsin e sivjetshëm në konferencën tonë. Ndërsa nuk u gjet as edhe një punonjës i nivelit të dytë i kësaj ministrie për të përfaqësuar dikasterin e turizmit në Ditën e Detit dhe të Turizmit të një qyteti si Saranda, që e ka vënë veten prej vitesh në hierarkinë e turizmit shqiptar e më gjerë.