E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohen tri libra të Jakup Krasniqit

Me rastin e 20-vjetorit të sulmit serb mbi familjen e Adem Jasharit, të premten në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare është bërë promovimi i tri librave të historianit dhe njëherësh Kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqit. Librat e titulluara, “Pranvera e lirisë ‘81”, “Flijimi për lirinë” dhe “Guxo ta duash lirinë”, nga të pranishmit janë vlerësuar si shumë të rëndësishme për historinë më të re të Kosovës.

Panelistët në këtë promovim, duke folur për autorin e librave kanë vlerësuar se Jakup Krasniqi është ndër personalitetet më të shquara politike të Kosovës.

Recensenti i librit “Pranvera e vitit 1981”, Ibrahim Gashi ka thënë se autori në këtë libër ka pasur për objekt periudhën më të lavdishme dhe më të vështirë nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptarë në ish- Jugosllavi, si dhe analizën e ngjarjeve më të rëndësishme politike.

“E veçanta dhe më e rëndësishmja e këtij studimi është gjerësia, autontonticiteti informativ, përkatësisht qasja kritike dhe insistuese për të hedhur dritë mbi atë që do ta quanim tranzicion të diskursit të rezistencës shqiptare nga forma e veprimit ilegal drejt një lëvizje masovike në formën e demonstratave studentore dhe gjithëpopullore. Që në hapjen e librit autori Krasniqi me të drejt propozon se përkufizimi i demonstratave studentore nuk shpreh përmasën reale që kishte lëvizja e vitit 1981, ndaj sipas tij termi më i drejtë është demonstrata gjithë popullore apo pranverë shqiptare e vitit 1981”, ka thënë ai.

Veprimtari dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Hydajet Hyseni, duke folur për librin “Flijimi për Lirinë”, ka vlerësuar se përmes këtij libri autori ka shpalosur heroizmin e pafund, frymëzimin dhe mobilizimin çlirimtarë të një populli të tërë.

“Ajo që na bashkon edhe këtë ditë të fund vitit është padyshim kujtimi dhe nderimi për legjendarin Adem Jasharin dhe familjen po ashtu legjendare të Jasharajve. Ndërkaq, sebep për të është bërë libri trilogji i autorit Jakup Krasniqi. Njëra nga tri pjesët e ti, jo vetëm që i kushtohet veprës së pazakonshme heroike të Jasharajve, por na sjellë të përmbledhur rrezatimin e pashuar nëpër kohë të këtij heroizmi të pafund shoq dhe për thyerjen e tij të pazakonshme në dhembje nderimin, frymëzimin dhe në mobilizimin çlirimtarë një populli të tërë, që vjen nëpër vite e kthehet në formë të pa shembulltë frymëzuese e ringjallëse”, ka thënë ai.

Ndërkaq për librin, “Guxo ta duash lirinë”, foli publicisti dhe profesori i mirënjohur, Agim Zogaj, i cili vlerësoj lartë punën e autorit, duke thënë se libri i cili është i ndarë në tri pjesë është i ndërtuar nga vështrime, trajtesa në të cilat ndriçohen, ngjarje, zhvillime, personalitete të krenarisë kombëtare me në krye Adem Jasharin legjendar.

Sipas tij, libri në fjalë është thirrje për mendimin publicistik, politik shqiptarë për ta gjurmuar studiuar, shtruar objektivisht rrugën kombëtare deri te liria.

Ndërsa autori i librit, njëherësh edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi, pasi i ka falënderuar të pranishmit e ka treguar edhe arsyen e promovimit të librave në këtë ditë.

“Qëllimi ka qenë që të promovohen sot, jo për t’i promovuar librat, se librat do të kanë kohë që të promovohen, por për të kujtuar një ngjarje historike që e kanë ndodhur para 20 vjetëve. Ndoshta zhvillimet e kohës shpeshherë na bëjnë që të harrojmë kthejmë pak prej nga erdhëm, por vërtet 30 dhjetori i vitit 1991 është një përvjetor i madh, që ka prodhuar histori. Thjeshtë nuk është vetëm një ngjarje që ka ndodhur para 20 viteve, por është një ngjarje historike që gjatë tërë këtyre viteve ka prodhuar histori të lavdishme për vendin tonë dhe kombin tonë”, është shprehur autori Krasniqi.

Në fund të këtij promovimi Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës, e kanë shpallur Jakup Krasniqit si personalitetin e vitit 2011, me ç’ rast ndanë një mirënjohje për kontributin e tij në çështjen kombëtare. Ndryshe, numri i librave të botuar nga Jakup Krasniqi me këto të sotit arrin në 9 sosh, vetëm nga periudha e pasluftës. /kp/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›