Politikani me shpirt ushtaraku

Ministri Çeku tha se viti 20111 ka qenë një vit i sukseseve dhe avancimit të FSK-së. Ai përmendi dhe shumë të arritura që FSK ka bërë gjatë këtij viti, duke pohuar se ky vit do të mbahet mend si vit i arritjeve të kapaciteteve të plota operacionale, vit kur FSK ka ndërtuar një identitet kombëtar dhe po vazhdon me ndërtimin e strukturës në përputhje me standarde ndërkombëtare të NATO-s.
Ai ndër shumë suksese të përmendura të FSK-së, gjatë këtij viti theksoi edhe ndërtimin e raporteve të shkëlqyera me forcat e armatosura dhe ministritë e mbrojtjes së vendeve të rajonit, si dhe fillimin e dërgimit të atasheve ushtarak në ambasadat tona në botë, duke filluar me SHBA-të.
“Do të mbahet mend si vit, kur FSK gjeti dhe trasoi rrugën drejtë integrimit në NATO. Ku i kemi hedhur hapat e parë në këtë drejtim dhe do të mbahet mend për aprovimin dhe hartimin e strategjisë së FSK-së, një dokument i cili e bënë të qartë rrugën dhe vizionin e FSK-së. Këtë vit kemi fuqizuar po ashtu partneritetin dhe bashkëpunimin me KFOR-in dhe zyrtarisht e kemi quajtur bashkëpunim i thelluar në të gjitha fushat. Në këtë vit jemi legjitimuar si Ministri e Mbrojtjes dhe si forcë ushtarake, se ashtu na kanë trajtuar edhe në takime me ministrat e mbrojtjes dhe në takime me shefat e shtabeve të përgjithshme. Kështu që ka qenë një vit plot me suksese”, tha ai.
Çeku, më tej pohoi se është shumë i kënaqur me punën dhe se ndihet krenar me FSK-në, mirëpo sipas tij edhe përkundër sukseseve të arritura, FSK po përballet edhe me probleme të shumta, si kufizimet ligjore, politike dhe mos nënshkrimin e kontratave për disa pjesëtarë të FSK-së, të cilët nuk i përmbushin standardet e NATO-s. Mirëpo ai shpreson se shumë sfida që FSK ka para vetës, do të tejkalohen në vitin në të cilin po hyjmë. Sfidë po ashtu sipas tij kanë qenë marrëdhëniet kontraktuale me NATO-n, si pjesë zyrtare të partneritetit për paqe të operacioneve paqeruajtëse, për shkak se katër vende të NATO-s, ende se kanë njohur Kosovën dhe çdo vendim në NATO merret me konsensus dhe se kjo na paraqet edhe një pengesë, për të ecur me hapa më të shpejtë, drejtë integrimit në NATO.
“Problemet aktuale, për ne kryesisht janë kufizimet politike, që janë ligjore faktikisht - jo politike. Janë ato të cilat Ahtisari na ka imponuar. Për ne është paksa frustruese edhe mandatin, të cilin e kemi, edhe kufizimet tjera që kem në numër, detyra dhe në pajisje. FSK është shumë e gatshme të ketë një mandat më kuptimplotë, mandat ushtarak, që të jetë më e dobishme për vendin, të kontribuojë në ruajtjen e paqes jashtë vendit”, tha ministri.
FSK sipas tij është afër arritjes së plotësimit të numrit të pjesëtareve të FSK-së, sipas standardeve të NATO-s, numër ky i cili duhet të arrijë në 2 mijë e 500 pjesëtarë dhe se FSK është afër plotësimit të këtij numri, pasi që tanimë FSK posedon diku 2 mijë apo 2 mijë e 400 pjesëtarë. Ndërsa viti 2013, sipas tij është ai kur pritet që Forca e Sigurisë së vendit ta ketë statusin e vërtetë të Ushtrisë së Kosovës.
“Në 2013-tën, jo se pse FSK nuk është gati, por ashtu janë dispozitat ligjore. Ahtisari ka thënë se pesë vite pas pavarësisë, mund të rishikohen ato kufizime, që na i ka imponuar ai. Ne gjatë vitit 2012, do ta bëjmë projektin, do ta bëjmë një studim të mirëfilltë së bashku me NATO-n dhe SHBA-të, dhe ministritë tjera të qeverisë, dhe deri në fund të vitit të ardhshëm, do ta kemi projektin, se si do të duket FSK në vitin 2013 dhe në vitin 2013 do ta implementojmë”, thekson Çeku.
Si moment të keq gjatë vitit 2011, Çeku e quajti debatin e zhvilluar për memorandumin mes të FSK-së dhe MPB-së, memorandum ky i cili sipas tij është keqkuptuar dhe keqinterpretuar. Ai tha se qëllimi i këtij memorandumi ka qenë që FSK të ketë një rol që çdo ushtri në botë e ka, e që është mbështetja e autoriteteve civile në kryerjen e misioneve të tyre.
“Çdo problem i sigurisë, brenda një vendi është problem i policisë dhe reagues i parë çdo kund është policia. Shpesh herë dhe çdo kund ndodh, që policia të mos ketë kapacitete të mjaftueshme që ta përballojë dhe menaxhojë një situatë, qoftë situatë e sigurisë ,apo emergjente dhe kërkon ndihmën e ushtrisë. Ushtria duhet t’i ketë kapacitetet dhe gatishmërinë, që ta ndihmojë policinë kur ka nevojë. Mbetet ushtri, por është në shërbim të sigurisë së qytetarëve dhe ka për obligim ta ndihmojë kurdo që i kërkohet. Por assesi të jetë reagues i parë, dhe assesi të jetë reagues i vetëm në situatat të tilla, por të jetë në mbështetje të policisë”, tha ai.
Me gjithë zhurmën e bërë rreth memorandumit në fjalë, ai tha se tanimë ai është nënshkruar dhe se memorandumi ka substancë të njëjtë me atë i cili ka zgjuar reagimin e shoqërisë civile dhe mediave, vetëm se ka disa formulime më të përshtatshme.
Megjithëse, tani ushtron një post politik, Çeku vazhdon të ndihet në shpirt ushtarak dhe se preferon që gjatë tërë jetës së tij të mbetet i tillë.
“Unë në esencë ndihem si ushtarak, jam rritur si ushtarak. 14 vjet kur i kam pasur, kam shkuar në një shkollë ushtarake dhe jeta ime ka kaluar kryesisht në ushtri. E kam ende logjiken e ushtarakut dhe ai është identiteti në politikë, ushtarak në detyra të ndryshme. Pas karrierës ushtarake, mund të jem edhe në politikë, edhe diku tjetër, por gjithmonë mbetem ushtarak. Unë kam mbetur dhe dëshiroj të mbes gjithmonë në shpirt ushtarak”, thotë ministri Agim Çeku, i cili ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe udhëhoqi Trupat Mbrojtëse të Kosovës deri sa u emërua kryeministër i vendit./Kosovapress/