E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohet biografia e Blendi Fevziut “Enver Hoxha”

20-12-2011 / Gazeta 55

Në ceremoninë e mbajtur në Galerinë e Arteve Figurative, personalitete të historisë, politikës, diplomacisë dhe shoqërisë civile ndanë me autorin suksesin e një publikimi që ka regjistruar rekord shitjesh në libraritë e trevave shqiptare

Fevziu: Të hapen arkivat, nuk është vonë për të thënë të vërtetat e diktatorëve komunistë

Në mjediset e Galerisë së Arteve Figurative në Tiranë, pasditen e djeshme, gazetari i njohur Blendi Fevziu ka përuruar librin e tij “Enver Hoxha”. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin personalitete të politikës, institucioneve, gazetarë, historianë, shkrimtarë, ambasadorë të akredituar në Tiranë, etj. Shquhej pjesëmarrja e kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, homologut të tij të Prishtinës, Hashim Thaçi, disa ministrave, kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, etj.
Autori Blendi Fevziu mbajti një fjalë të shkurtër në të cilën foli për jetën e diktatorit komunist të Shqipërisë. Ai kujtoi se pikërisht gati në të njëjtën ditë kishin vdekur ish-presidenti çekosllovak Havel dhe diktatori komunist i Koresë së Veriut. Ndërsa për Havelin ekranet e gjithë botës kishin dhënë njerëz që dhimbjen e shprehnin me lot njerëzore, në Korenë e Veriut populli qante me të njëjtën pamje si ato që u panë në Shqipëri në prillin e vitit 1985. Prandaj sipas Fevziut asnjëherë nuk është vonë për të shkruar e për të thënë të vërtetat rreth diktatorëve të llojit Enver Hoxha.
Një ekran i vogël i vendosur në mjediset e Galerisë së Arteve shfaqi disa sekuenca të shkurtra rreth librit, si fjalën e shkrimtarit Ismail Kadare, aktivitete promovuese në të gjithë Shqipërisë, etj.
Botuesi Henri Çili foli më pas për botimin e këtij libri që ka thyer çdo rekord me ekzemplarët e shitur, që sipas tij i kalojnë 33 mijë copët. Suksesi i këtij librari ka pohuar Çili tregues se interesi ndaj librit është i madh dhe se interesi ndaj leximit mbetet i lartë.
Në mjediset e Galerisë ishin shfaqur si sfond shoqërues edhe disa vepra të realizmit socialist me temën e mprehtë të “mbrojtjes vigjilente”, “punës socialiste”, etj. Pranë tyre ishin vendosur edhe disa skica që botoheshin dikur në revistën humoristike të kohës “Hosteni”, në të cilat ironizohej “imperializmi amerikan dhe social-imperializmi sovjetik”. Këto skica që kishin mundur të ishin pjesë e fondit të Galerisë së Arteve pasqyronin një pjesë nga marrëzia e komunizmit stalinist shqiptar, rrugë të cilën e ndoqi besnikërisht diktatori Enver Hoxha. Fakti që e keqja me emrin Enver Hoxha zgjati afro gjysmë shekulli, tregon se gjysma e jetës së shtetit shqiptar kaloi në eksperimentin vrastar të tij. Shqipëria dhe shqiptarët patën fatin e keq të drejtoheshin prej tij. Vendi eci në rrugën më të mbrapshtë ndërsa shqiptarët si komb u masakruan jo më pak nga ç’u kishin bërë pushtuesit më parë. Prandaj dhe libri i Fevziut është jo vetëm rrëfimi i një jete të mbrapshtë, por edhe analiza e saj, e lidhur kjo ngushtë me të keqen që i solli popullit të tij.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›