E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohet libri i Jakup Krasniqit

Nga Express më 03 prill 2011 në ora 13:10

Në kuadër të shënimit të aktiviteteve me rastin e 30-vjetorit të demonstratave të vitit 1981, të shtunën në BKUK u promovua libri “Lëvizja për Republikën e Kosovës 1981-1991 sipas shtypit shqiptar” i autorit Jakup Krasniqi, i cili karakterizohet me qasjen objektive të autorit lidhur me ngjarjet që shënuan një kthesë historike në historinë e Shqiptarëve të Kosovës.

Adem Gashi, njëri nga recensentët e librit, ka thënë se libri “Lëvizja për Republikën e Kosovës 1981-1991 sipas shtypit shqiptar”, trajton një temë shumë të rëndësishme në lidhje me ngjarjet e viteve të pas 81-së, të cilat ishin vulë për fatin e shqiptarëve.
“Nuk është as e para herë e besoj as e fundit që mblidhemi në përurim libri të dr. Jakup Krasniqit. Ky mendim megjithatë vjen si perceptim specifik, sepse shtjella e temës rreth këtij libri në lidhje me ngjarje dhe përvjetorin që kanë lënë jo vetëm shenja edhe vulë në fatin e popullit, vulë, pra në fatin e shqiptarëve që i thonë sot Republika e Kosovës”, ka thënë ai.

Autori i librit, Jakup Krasniqi, ka thënë se me anë të këtij libri ishte munduar që të krahasojë qasjen që i ka dhënë shtypi i ish-Jugosllavisë, Shqipërisë dhe ai evropian këtyre ngjarjeve.

“Jam përpjekur nga provenienca e shkrimeve të ndryshme të politikave të ndryshme të ballafaqoj t’i krahasoj, t’i analizoj dhe t`ia jap publikut të ri, lexuesit që nuk e kanë përjetuar atë kohë se shumica nga ju që jeni këtu keni lexuar edhe, atëherë shtypin e kohës të të gjitha proveniencave që i kanë shfletuar. Pra, kemi politikën zyrtare të Jugosllavisë, e cila atëherë prezantohej me ‘Rilindjen’, kryesisht po edhe me gazeta të tjera. Kemi politikën zyrtare të Shqipërisë dhe kryesish prezantohej përmes zërit të popullit, kemi politikën zyrtare të Lëvizjes Kombëtare që është e përfaqësuar me disa revista kryesisht nga ‘Zëri i Kosovës’ dhe shtypi perëndimor që aso kohe ka qenë mjaft aktiv, ndërsa këtu nuk mund të themi se ka qenë politika zyrtare e atyre vendeve, por shtypi i asaj kohe që është shfrytëzuar ka pas ndikim në politikat zyrtare të vendeve të demokracisë perëndimore”, ka thënë Krasniqi. Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Buzuku” në Prishtinë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›