E Shtunë, 31 Tetor 2026

Treguan vlera

Kombëtarja U-21 e Shqipërisë ka pasur paraqitje mjaft të mirë në një turne ndërkombëtar që është mbajtur në Slloveni. Kontribut në kë këtë sukses të kuqezinjve kanë dhënë edhe tetë futbollistë kosovarë. Këta të fundit janë lavdëruar nga FSHF-ja, e veçmas Agonit Sallaj dhe Astrit Bunjaku. Nga Express më 03 prill 2011 në ora 13:09

Përfaqësuesja U-21 e Shqipërisë, e udhëhequr nga Artan Bushati, ka pasur paraqitje të mirë në turneun ndërkombëtar ‘Adria-Alpe U21 Cup’, që është mbajtur në Slloveni gjatë javës që lamë pas. Përveç kuqezinjve, në këtë turne kanë marrë pjesë edhe ekipi U-21 i Rumanisë, ai i Gjeorgjisë, por edhe reprezentacioni i Izraelit.

Ngjyrat e Kombëtares shqiptare në këtë eveniment i kanë mbrojtur edhe tetë futbollistë kosovarë, të cilët luajnë për ekipe të ndryshme evropiane si: Ervin Gashi (Thun), Liridon Krasniqi (Mlada Boleslav), Atdhe Kadriaj (FC Entfelden), Shkodran Nuredini (FC Dubndrof), Agonit Sallaj (Neuchatel Xamax), Mërgim Brahimi (Grasshoper), Leutrim Osaj (Maribor) dhe Artan Shillova, Astrit Bunjaku (Basel).

Këta futbollistë kanë rënë në sy të drejtueseve të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në kampion e mbajtur në fillim të këtij viti në Zvicër. Nga rreth 50 talentë, sa ishin prezentë në këtë kamp, FSHF-ja kishte verifikuar tetë lojtarët e lartpërmendur.

Madje, ata kanë pasur paraqitje të mira në ndeshjen e parë të tyre me fanellën kuqezi, duke e mundur Rumaninë me rezultat 2:0.

“Në këtë takim, trajneri Bushati aktivizoi gati tetë lojtarë, të cilët erdhën si rezultat i seleksionimit të zhvilluar gjatë muajit janar në Zvicër. Shumica e tyre me origjinë nga Kosova, por që kanë paraqitur interes të luajnë me fanellën tonë të përfaqësueses dhe treguan nivel të kënaqshëm tekniko-taktik”, thuhet në uebfaqe zyrtare të FSHF-së.

Megjithatë, FSHF-ja veçon paraqitjet e Agonit Sallajt dhe Astrit Bunjakut. Futbollisti i Xamaxit dhe ai i Baselit kanë shkëlqyer në fitoren e Shqipërisë ndaj Gjeorgjisë me rezultat 3:1.

“Në këtë ndeshje, u dallua Sallaj, Roshi - autori i dy golave, Bunjaku, Bala - autor i një goli dhe portieri Frashëri”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Ndërsa, edhe vetë Sallaj është shprehur të jetë i kënaqur me faktin se u është realizuar ëndrra për ta veshur fanellën e Kombëtares shqiptare.
“Ftesa e Kombëtares më pati gëzuar shumë. Kam kaluar shumë mirë me ekipin në këtë turne. Jam i gatshëm që edhe në të ardhmen të luaj për Kombëtaren shqiptare dhe do të ishte nder për mua”, ka thënë Sallaj për Express.

Në ndeshjen e fundit ndaj Izraelit, Shqipëria nuk ka mundur të nxjerrë më shumë sesa një barazim, 1:1.

Në fakt, këta kosovarë janë testuar në këtë turne nga Kombëtarja shqiptare, ndërsa përzgjedhësi Artan Bushati do të vendosë për ta ftuar apo jo ndonjërin nga ta në ekip për eliminatoret e Kampionatit evropian për grupmoshat U-21. Kuqezinjtë vazhdimisht kanë rekrutuar kosovarë në radhët e tyre. Aktualisht në Kombëtaren A luajnë Arian Beqaj, Samir Ujkani, Lorik Cana, Armend Dallku, Debatik Curri dhe Ahmed Januzi. Në të kaluarën fanellën kuqezi e kanë bartur edhe Besart Berisha, Mehmet Dragusha, Bekim Kastrati, Blerim Rrustemi dhe Besnik Hasi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›