E Shtunë, 31 Tetor 2026

Promovohet studimi mbi Amiantin - vrasës i heshtur kancerogjen

29-04-2012 / Gazeta 55

Studimi monografik u promovua në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë

“Amianti-vrasësi i heshtur kancerogjen. Emergjenca Amiant në Shqipëri”, studimi monografik, u promovua sot në ambientet e Ministrisë së Shëndetësisë në Ditën Botërore të Përkujtimit të Punëtorëve.
 Këtë vit kjo ditë botërore i kushtohet viktimave në punë nga amianti. Studimi monografik është fryt i kërkimeve shumëvjeçare ndërdisiplinore të një grupi autorësh, pjesë e Shoqatave Jo-qeveritare, e Universiteteve, apo e administratës shëndetësore shqiptare. Autorët, Prof. As. Dr. Romeo Hanxhari, Dr. Petrit Vasili, Prof. As. Dr. Arben Luzati , Prof. As. Dr. Bilal Draci, Prof. Dr. Agim Sinojmeri, kanë punuar prej vitit 2006 për këtë studim, duke qenë pionierët e kësaj problematike serioze, dhe tashmë nxjerrin në dritë të parin botim në Shqipëri për problemin Amiant, duke e renditur Shqipërinë në fakt ndër vendet e para të rajonit në trajtimin dhe përballjen me guxim me kompleksitetin e lartë të problematikës.
Lançimi i botimit të këtij libri përmbyll zhvillimin me sukses të një workshopi disaditor të organizuar nga ISHP dhe OBSH për “trajnimin e trajnuesve për problematikën e Amiantit dhe pasojave të veta shëndetësore”, të mbajtur në Tiranë në datat 23-27 Prill 2012.
Puna në rritje për problematikën Amiant vjen edhe në vijim të nënshkrimit nga Shqipëria të Deklaratës së Parmës, e vitit 2010, e cila obligon Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, që deri në vitin 2015 të hartojnë Programin Kombëtar për Eliminimin e Amiantit dhe sëmundjeve me bazë Amiantin.
Shqipëria ka qenë ndër të parat vende të rajonit që ka pasur vëmendje ndaj problemit te Amiantit që me VKM-në përkatëse të vitit 1994 (VKM “Për ndalimin e përdorimit te asbestit si material termoizolues”), dhe me tej ky material është përmendur dhe trajtuar edhe në ligje, VKM dhe rregullore te tjera jo te drejtpërdrejta për këtë problem, por që kanë ndikuar ne reduktimin e rrezikut “amiant” ne maksimum.
Por vendi ka ardhur në fazën kur ka nevojë për një Ligj dhe protokolle teknike të posaçme anti-amiant, veçanërisht për shkak te problemit të amiantit te trashëguar nga e kaluara dhe që është i përhapur në territor në trajtën e çimento-amiant.
Problematika e Amiantit në botë ka vëmendjen e veçantë serioze të OBSH, e cila në këtë rast mbështet fort këto përpjekje të Shqipërisë për të rritur ndërgjegjësimin për amiantin, qëllim për të cilin libri mund të japë një kontribut të çmuar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›