Milo: Po mbaron koha për Edi Ramën, ai s’po tregohet i sinqertë

Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të partisë së tij, Paskal Milo paralajmëron marrjen e vendimeve të forta, për shkak se po soset durimi ndaj një aleati, që s’bën gjë tjetër, veçse përpiqet t’ua kallë partnerëve më të vegjël
Partia Demokracia Sociale ka kërkuar nga aleatja e saj kryesore, Partia Socialiste, një partneritet të sinqertë dhe të mos t’i konsiderojë forcat politike të këtij spektri vetëm si fasadë për protestat opozitare.
Një qëndrim i tillë u mbajt nga vetë kreu i kësaj partie, Paskal Milo, gjatë mbledhjes së Komitetin Drejtues, takim i cili organizohet në prag të 9 vjetorit të themelimit të kësaj force politike. “Partia Socialiste do të ketë te PDS një aleat të fuqishëm, por ne kërkojmë një partneritet të sinqertë”, vuri në dukje Milo.
Kryetari Partisë Demokracia Socialiste Paskal Milo i sugjeroi aleatit të tij, Edi Rama që sa më parë të nisë aksionin për unifikimin e qëndrimeve brenda kampit opozitar pasi në të kundërt, kjo e fundit rrezikon rezultatin negativ të radhës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013.
Kryetar i Demokracisë Sociale, Milo shkoi edhe më tej kur paralajmëroi që në rast se PS nuk i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese për bashkëpunim, atëherë forca e tij politike nuk do të mbetet peng i formulave politike. Këtë pjesë Milo e ka sqaruar më herët gjatë prononcimeve mediatike, kur është shprehur se pavarësisht forcës që do të fitojë zgjedhjet e vitit 2013, Demokracia Sociale do të jetë në qeverisje.
Kreu i PDS, Paskal Milo tha në fjalën e tij se kjo forcë politike arriti të fitojë sfidën e zgjedhjeve vendore, duke marrë një numër të konsiderueshëm këshilltarësh.
“Përballuam një sfidë në zgjedhjet vendore, fituam 270 këshilltarë. Zgjedhjet e ardhshme janë sfida jonë e radhës”, u shpreh Milo.
Ndërkohë që në vlerësimin e tij, një pjesë të rëndësishmeve të proceseve politike është dhe përmirësimi i Kodit Zgjedhor. Në këtë këndvështrim, Milo evidentoi se dokumenti i 26 partive politike të gjithë spektrit politik, është një detyrim për dy forcat kryesore që të miratojnë një reformë, ku vota të jetë e barabartë.
“Tryeza e të vegjëlve nga i gjithë spektri u zhvillua për herë të parë që nga vendosja e pluralizmit në vend. Drafti është një rekomandim i fuqishëm”, deklaroi Milo.
Kreu i PDS ka theksuar se kjo parti politike do të jap kontributin për integrimin e vendit në Bashkimin Europian dhe realizimin e reformave. Ai u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme është i nevojshëm rotacioni politik.