Gati shkarkimi i 100 oficerëve madhorë

Komisioni i Sigurise / Foto arkiv
Zamir Alushi / Luis Tanushi
PD dhe PS i kërkojnë Ministrit Imamit të largojë 100 oficerë madhorë: kolonelë, nënkolonelë dhe gjeneralë. Kjo bëhet e qartë nga dy raportet e paraqitura veçmas nga dy palët në Komisionin e Sigurisë për shkarkimin e tre gjeneralëve. Mungesa e vlerësimit të karrierës së ushtarakëve nga Ministria e Mbrojtjes ka bllokuar zhvillimin normal të karrierës së oficerëve të lartë në Forcat e Armatosura. Në raportin e përgatitur nga anëtari i Komisionit të Sigurisë, Piro Lutaj, zbulohen të tjera fakte ku dallohet shkarkimi selektiv i gjeneralëve nga ministri Imami. Aktualisht në ushtri janë edhe tre oficerë me gradën gjeneral brigade të tjerë që nuk kanë kaluar afatin tre vjeçar të qëndrimit në këtë gradë, duke mos konsideruar edhe rastin që disa prej tyre kanë probleme edhe me ligjin për shkak të ushtrimit jo të përgjegjshëm të detyrave që kanë pasur. Lista e qëndrimit të ushtarakëve në detyrë vijon më tej me emrat e 15-të kolonelëve, të cilët kanë konsumuar me disa vite kohët minimale prej 4 vjetësh të qëndrimit në gradë dhe që kanë mbushur edhe periudhën 30 vjeçare të qëndrimit në detyrë. E njëjta situatë paraqitet për gradat më të ulëta. Janë mbi 80 nënkolonelë të cilët kanë konsumuar me disa vite kohët minimale prej 5 vjetësh të qëndrimit në gradë dhe shërbimin prej 27 vjetësh në ushtri. Nga monitorimi në Ministrinë e Mbrojtjes, deputeti Lutaj ka konstatuar se nuk është respektuar ligji “Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” i cili thotë se “koha maksimale e qëndrimit në shërbim në një gradë është për gjeneral brigade apo kundëradmiral 33 vjet. Për gjeneral major ose nënadmiral 35 vjet. Deputeti Lutaj vlerëson në raportin e tij se procedurat e ndjekura për shkarkimin e gjeneralëve Zaimi dhe Çela janë në kundërshtim me ligjin dhe se janë ndjekur standarde të dyfishta. Atë çka ministri i Mbrojtjes shprehet në relacionin dërguar Presidentit të Republikës për gjeneralët e nxjerrë në rezervë se mospërparimi në gradë i gjeneralëve është bërë pengesë për zhvillimin normal të karrierës së ushtarakëve oficerë në FARSH-së nuk qëndron pasi ai me qëndrimet e tij antiligjore dhe si rezultat i politikave jo të drejta me personelin në radhët e FA-së, ka penguar ecurinë në gradë dhe karrierë të oficerëve. Nëse ministrit të Mbrojtjes do ti duheshin ushtarakë për ushtrimin e detyrës le të respektojë ligjin ” Për statusin e ushtarakut te FARSH-se, shkruhet në raportin e Komisionit të Sigurisë. Lutaj thekson se për shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në rezervë të gjeneralëve duhet që ministri i Mbrojtjes të kishte mbajtur parasysh zbatimin e parimit kushtetues “te patundshmërisë” në ushtrimin e detyrës së tyre. Sipas tij, ky parim nuk mbron vetëm interesat e gjeneralëve, por në radhë të parë mbron interesat e aparatit shtetëror për depolitizimin e tij.
Raporti i demokratëve
Demokratët shprehen se largimi i oficerëve madhorë nga ushtria është bërë për shkak të tejkalimit të afatit të qëndrimit në detyrë. Sipas anëtarëve të djathtë të Komisionit parlamentar të Sigurisë, qëndrimi i ushtarakëve në gradë dhe në detyrë, edhe pse kanë kaluar kohën minimale prej 3 vjetësh të qëndrimit në një gradë dhe nuk kanë përparuar në një gradë më të lartë, është bërë pengesë për zhvillimin normal të karrierës së ushtarakëve oficerë në Forcat e Armatosura. Në çdo moment ligjet legjitimojnë të drejtën e Ministrit të Mbrojtjes të propozojë shkarkimin nga detyra dhe daljen në rezervë të ushtarakëve me grada madhore në rast të plotësimit të kërkesave të parashikuara nga ligji për kohën dhe qëndrimin në një gradë dhe pa përparuar në një gradë më të lartë. Pretendimi i ankuesve se nuk janë përmbushur kërkesat e nenit 11 të ligjit nr. 9171 datë 22.1.2004 Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisënuk është i drejtë, theksohet në raportin e përgatitur nga deputeti Luan Skuqi.
PD në vështirë votash në Komisionin e Sigurisë
Mungesa e votave në Komisionin e Sigurisë detyroi mazhorancën që të kërkojë shtyrjen e mbledhjes së parashikuar për shqyrtimin e dy raporteve për gjeneralët e shkarkuar. Demokratët argumentuan se dosja për shkarkimin e dy gjeneralëve, Arian Zaimi dhe Kudret Çela është duke u shqyrtuar nga Gjykata e Apelit. Komisioni po shqyrtonte kërkesën që kanë bërë dy gjeneralët në lidhje me dekretimin dhe lirimin nga detyra e tyre nga Presidenti i Republikës. Komisioni i Sigurisë nuk mund të shqyrtonte ankesën e dy gjeneralëve pasi bien ndesh me nenin 77 të Kushtetutës. Është marrë një vendim nga gjykata. Opozita krijoi të bëjë shown e radhës, e nuk ramë në grackën e tyre. Gjykata kushtetuese nuk lejon asnjë komision të shqyrtojë pas vendimit të saj, theksoi deputeti Fatos Hoxha i cili kërkoi hedhjen në votë të propozimit për shtyrje. Të majtët kundërshtuan shtyrjen duke sqaruar se raporti i Kuvendit nuk është detyrues për gjykatat. Pavarësisht mungesës së kompromisit dhe kërkesës së vazhdueshme nga deputeti Hoxha për shtyrjen e shqyrtimit të raporteve, mungesa e votave të mazhorancës vendosi në vështirësi kryetarin e Komisionit të Sigurisë, Demi.