Promovohet vepra e plotë e Shaban Sinanit

Për Ali Aliun, Sinani është një studiues me një spektër shumë të gjerë, me një kulturë të jashtëzakonshme dhe me intuitën për të mbërthyer problematikën e duhur. Ai u ndal në veçanti te monografia “Martin Camaj i paskajuar”, të cilën e quajti një vepër të shquar, një risi në shkencën letrare dhe një nxitje për t’u marrë me figurën e Camajt.
Ai përmendi analizën që studiuesi i bën veprës “të kapshme e të pakapshme” “Dranja”, duke dhënë dhjetëra këndvështrime dhe mënyra të leximit të veprës. Për Mateo Mandala, vepra e Sinanit ishte një dritare për të njohur Shqipërinë, sidomos gjatë periudhës së diktaturës.
Përmes botimit të një morie dokumentesh, mund të kuptoje më mirë shoqërinë shqiptare, ku vepronin shkrimtarët shqiptarë, ku vepronte Ismail Kadare. Historiani Pëllumb Xhufi, duke e parë veprën e Sinanit me syrin e historianit, u ndal në veçanti te dy vepra: “Hebrenjtë në Shqipëri: prania dhe shpëtimi” dhe “Kodikët e Shqipërisë në Kujtesën e Botës”, të cilat i quajti histori shpëtimi.