E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi, i pazëvendësueshëm

Lionel Messi është i dashuruar me fushën e blertë. Pasi theu rekorde të njëpasnjëshme me shënimin e golave, sulmuesi argjentinas e ka thyer rekordin e paraqitjeve në fushë. Futbollisti më i mirë në botë ka luajtur pa u zëvendësuar asnjë minutë në 99 ndeshjet e fundit, në të cilat kishte realizuar plot 100 gola, më shumë se një për ndeshje. Në 61 prej këtyre ndeshjeve, ylli argjentinas ka shënuar së paku nga një gol.

Tashmë, për Lionel Messin mposhtja e rekordeve nuk është më një risi. I fundit nuk ka të bëjë me golat e shënuara, siç ndodh zakonisht, por me paraqitjet e tij në fushë. E përditshmja spanjolle, El Mundo Deportivo i ka analizuar paraqitjet në fushë të sulmuesit argjentinas, duke konstatuar se fenomeni i Barcelonës ka zhvilluar plot 99 ndeshje pa u zëvendësuar asnjëherë.

Për ta parë një imazh ku Messi shihet i ulur në bankinë na nevojitet të rikthehemi më 12 janar 2011, kur trajneri Pep Guardiola e kishte zëvendësuar në minutën e 86-të me Jeffren në Copa del Rey (5:0 ndaj Betisit), pasi kishte realizuar tregolësh, pothuajse një formalitet për të.

Nga 113 ndeshjet pasuese, Messi i ka humbur vetëm 14, për motive të ndryshme. Në pesë prej tyre ishte futur në lojë si zëvendësues, në tri të tjera nuk ishte ftuar fare dhe në dy nuk kishte mundur të luante, njërën për shkak se ishte ftuar në përfaqësuese dhe në tjetrën për shkak se ishte në pushime.

Ai nuk e ka humbur asnjë ndeshje për shkak të ndonjë lëndimi. Në një rast, lojtari më i mirë në botë ishte i prekur nga një virus, por kishte vendosur të luante dhe kishte realizuar dy gola ndaj Osasunës në Kupë.

Ai nuk ka pësuar lëndim që nga 29 shtatori i vitit 2010, kur kishte dëmtuar ligamentin e gjurit, pas një dueli me ish futbollistin e Atletico Madridit, Tomas Ujfalusi.

Nga 99 ndeshjet e zhvilluara, përfaqësuesi argjentinas kishte shënuar në 61 prej tyre së paku nga një gol. Golat e shënuara në 99 ndeshjet e fundit janë 110, pra më shumë se një për çdo ndeshje.

Si të gjithëve, Messit nuk i pëlqejnë zëvendësimet. Edhe pse Barcelona po fitonte bindshëm në një ndeshje me Mallorcan, kur u pyet nga trajneri Guardiola nëse dëshironte të zëvendësohej për të pushuar, Messi kishte thënë ‘jo’.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›