E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, 400 banorë të Dukatit kërkojnë certifikatat

PROTESTA / Pasi janë mbledhur në Kuvendin e Madh, banorët kanë kërkuar kthimin e pronave përmes certifikatave


VLORË - Toka ka qenë kryefjala e protestës së zhvilluar dje nga banorë të fshatit Dukat, protestë që ka mbledhur në Orikum rreth 400 familjarë nga kjo zonë. Shqetësimi për mosmarrjen e asnjë certifikate pronësie, kur tokat e tyre janë të lira, ka bashkuar banorët në protestë, ndërkohë që sipas tyre ky do të jetë vetëm fillimi.


Banorët kanë qenë të prerë në kërkesat e tyre. Ata thanë se pak ditë më parë janë mbledhur në "Kuvendin e madh të Dukatit", ku kanë dalë me kërkesa të qarta drejtuar instancave qeveritare.


Disa prej kërkesave


"Përcaktimi i kufijve historikë dhe gjeografikë të Dukatit dhe administrimi i tyre" ka qenë një kërkesë e paraqitur nga banorët. Sipas tyre, kjo nënkupton të drejta të plota mbi tokat e të parëve, pasi sipas protestuesve ka qenë një vendim i Këshillit të Ministrave që synon të privatizojë tokën që kanë nën administrim banorët e Dukatit. "Kthimi i pronave banorëve të fshatit Dukat nëpërmjet dhënies së certifikatës së pronësisë nga ZRPP", ishte një kërkesë e dytë.


Protestuesit thanë se një dokument i tillë nuk disponohet nga banorët edhe pse ata pretendojnë që tokat janë të tyre të trashëguara brez pas brezi. Banorët thanë se "rikthimi i pronës te i zoti duhet të kryhet sipas ligjeve në fuqi dhe sipas konceptit pronë private". Ndërkaq një tjetër kërkesë ishte "heqja e menjëhershme e postbllokut të bazës Ushtarake dhe lejimi i turistëve për në parkun e Orikut, si dhe lejimi i banorëve të Dukatit për në Karaburun".


Sipas banorëve, kjo tashmë nuk ndodh, pasi baza ushtarake qëndron e mbyllur dhe në ambientet përreth saj nuk lejohet njeri, pa pasur më parë një leje nga autoritetet ushtarake.

"Marrja e një vendimi, në formë referendumi ose ne formë demokratike për çdo vendim të shtetit shqiptar, që mund të cenojë pasurinë, lirinë, shëndetin, ose jetën e banorëve të Dukatit, ishte një tjetër kërkesë e protestuesve. Sipas tyre katër kërkesat e bëra publike nga ata, do të jenë në qendër të zhvillimeve të mëvonshme.


Ata kanë paralajmëruar se, nëse këto kërkesa nuk do të plotësohen, atëherë do të përshkallëzojnë protestat, do të bëhet bojkotimi i Zgjedhjeve Vendore, si dhe çështja do të ankimohet në gjykatat ndërkombëtare.


Protestuesit thanë se për përpilimin e kërkesave ka funksionuar "Kuvendi i madh", mbledhur pak ditë më parë, ku morën pjesë mbi 800 vetë, ndërsa protesta është në kuadër të këtij kuvendi. Banorët thanë se brenda gjithë listëkërkesës nuk kanë vend pikëpamjet politike, ka vend vetëm e drejta e pronësisë, çka sipas tyre u takon me ligj dhe duhet zgjidhur.


Një tjetër shqetësim i tyre është ngritja e mullinjve me erë, projekt ky që prek tokat e të parëve. Sipas banorëve, kusht i domosdoshëm është shpronësimi i tokës dhe më pas ngritja e këtyre mullinjve. Gjatë protestës së djeshme ata thanë se "ne nuk jemi kundër zhvillimit, por interesi i komunitetit duhet të jetë në qendër të vëmendjes."

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›