Telemjekësia, tashmë diagnozat vendosen on-line

Prezantohet raporti i Telemjekësisë dhe shëndetit elektronik. Vasili: Ja si do të funksionojë programi për konsultat e gjëra
Diagnozat e pacientëve do të vendosen on-line në kohë rekord dhe pa shpenzime.
Kjo do të thotë se një pacient që është i shtruar në një spital rajonal dhe ka nevojë për një konsultë urgjente nga mjekët specialist të Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" apo mjekë të huaj do t'i bëhet konsultë on-line nëpërmjet aparaturave dhe sateliteve të instaluar në spital pa qenë e nevojshme të vijë në Tiranë apo të dalin jashtë shtetit.
Kjo duket disi e pamundur, por, në fakt, do të jetë reale falë Telemjekësisë dhe shëndetit elektronik. Ky sistem u bë i njohur dje në raportin e ecurisë së programit të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik i financuar nga USAID prezantuar nga koordinatori i programit, Rifat Latifi, ku mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
Koordinatori Latifi shpjegon se Telemjekësia nënkupton përdorimin e informatave mjekësore, duke i shkëmbyer ato nga një vendndodhje në tjetrën përmes komunikimeve elektronike për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të pacientit. Sipas tij, ky sistem do të fillojë të funksionojë brenda pak muajsh dhe se është instaluar në 5 spitale rajonale dhe në QSUT.
Ndërsa ministri Vasili thekson se Telemjekësia është projekt në nivel kombëtar, duke u bërë kyçi i diagnozës së shpejtë dhe rrit aftësinë diagnostikuese në rrethe.
"Ky program bën të mundur rajonalizimin e sistemit shëndetësor për bashkëpunim edhe me spitalet simotra, duke unifikuar dijet shkencore", thekson Vasili, duke shtuar se ky program ndihmon në fitimin e kohës në organizimin e konsultave të gjëra.
Sipas tij, qëllimi i këtij programi është unifikimi i dijeve dhe bën të mundur edhe uljen e shpenzimeve dhe fiton kohë, duke dhënë përgjigjet e diagnozave on-line shumë shpejt.