E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, AKKP përfundon shqyrtimet, nis pagesa e kompensimeve

TIRANE-Përmes një njoftimi të publikuar në faqen e vet zyrtare, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton se më datë 30 maj ka përfunduar shqyrtimin e kërkesave për kompensim të pronarëve të prekur nga ndërtimet informale. Sipas AKKP-së, pronarët përfitojnë tri këstet që mbulojnë 47% të shumës së përgjithshme për kompensim. “Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton se më datë 30/05/2013, ka përfunduar procesi i shqyrtimit të kërkesave të pronarëve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale, dhe që përfitojnë kompensimin apo shpërblimin e saj me këstin e parë, të dytë dhe të tretë, në masën prej 47% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave”, shkruhet në njoftimin për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të AKKP-së.
Përfituesit
Të dhënat e subjekteve përfituese janë të evidentuara në listat që i bashkëlidhen vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale të miratuara deri më tani. Në dispozicion të kompensimit të këtyre pronarëve, AKKP-ja ka vënë shumën prej 45.7 milionë lekësh, përafërsisht 450 mijë dollarë për 6 pronarë të prekur nga ndërtimet informale. AKKP-ja bën me dije se procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjet “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, “Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave”, në vendimin e Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, si dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilat është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

“Në përfundim të këtij procesi, kësti i parë, i dytë dhe i tretë është shpërndarë për 6 kërkesa (47%), të depozituara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në shumën e përgjithshme prej 45 789 770,96 lekë”, shkruhet në njoftimin e AKKP-së. Të dhëna në lidhje me pasuritë që kompensohen dhe mbi gjeneralitetet e subjekteve përfituese jepen në listën që shoqëron këtë njoftim për shtyp. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim. Ndërkaq, kemi një fond në dispozicion të procesit të kompensimit të pronarëve të prekur nga ndërtimet informale. Burime në AKKP kanë bërë me dije se fondi për kompensimin e pronarëve të prekur nga ndërtimet informale është përafërsisht rreth 10 milionë dollarë dhe nga Agjencia po kërkohet të shpërndahet sa më shpejt, në mënyrë që paratë të mos mbeten të ngrira në llogarinë e AKKP-së, por t’u kalohen pronarëve, siç edhe ka vendosur Këshilli i Ministrave.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›