Pronat, Bollano takim në zyrën e Berishës
TIRANË- Në këto ditë të nxehta gushti, kur të gjithë kërkojnë të shkojnë në Himarë për të pushuar, kreu i Bashkisë së kësaj qyteze, Vasil Bollano është detyruar të vijë në Tiranë. I njohur nga shqiptarët për provokimet e shpeshta të ndjenjave të tyre kombëtare, kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, gjatë paradites së djeshme është parë në portën e Kryeministrisë. Arsyeja e vizitës blic? Një takim me këshilltarët e kryeministrit Berisha, objekt i së cilës mendohet të ketë qenë diskutimi i një çështjeje që për të, djeg më shumë sesa vapa e këtyre ditëve: çështja e pronave në Himarë.
Takimi
Kryebashkiaku Bollano është parë dje që të hyjë në selinë e Kryeministrisë, ku dhe ka qëndruar për më shumë se një orë. Megjithëse për këtë takim nuk është dhënë asnjë informacion zyrtar nga burime pranë Kryeministrisë mësohet se në mungesë të kryeministrit Sali Berisha (prej dy ditësh kryeministri ndodhet në Kinë, ku dhe do të ndjekë sot ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike) dhe të zëvendëskryeministrit Genc Pollo, i cili është me pushime, Bollano është pritur nga këshilltarët e kryeministrit. Çështjet për të cilat është interesuar kryebashkiaku nuk bëhen të ditura nga burime zyrtare. Vetë Bollano i kontaktuar nga “Shekulli” nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment, ndërkohë që burime pranë tij në Bashkinë e Himarës konfirmuan se vizita e tij në Tiranë ka lidhje me problemin e pronave në Himarë dhe me paralajmërimin e pronarëve himariotë për zhvillimin e një proteste, ditën e diel.
Konflikti
Prej disa kohësh, pronarët e vjetër himariotë kanë akuzuar Vasil Bollanon se gjatë ushtrimit të funksionit të tij në krye të Bashkisë së Himarës, ka kryer afera të ndryshme korruptive, duke tjetërsuar pronësinë e një sërë trojesh dhe tokash të tjera, një fenomen ky që ka përfshirë pothuajse të gjitha njësitë vendore ku dhe interesi për tokat është shumë i madh. Për këtë arsye, midis kësaj shtrese dhe kryebashkiakut, shpeshherë janë shkëmbyer akuza të ndryshme. Ndërkohë që ditët e fundit kjo situatë është përshkallëzuar pasi pronarët legjitimë të organizuar në Shoqatën “Bregdeti”dhe të mbështetur nga deputeti Nikollaq Neranxi, kanë paralajmëruar mbajtjen e një proteste, ditën e diel, në sheshin qendror të qytetit të Himarës, ku dhe do të kërkojnë kthimin e pronave në bazë të dokumenteve origjinale të vjetra. Ndërkohë që kreu i bashkisë, Bollano, i cili i trembet një përshkallëzimi të tillë të situatës, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe të autoriteteve shtetërore nga ky problem, ka organizuar elementët pro-grekë në këtë qytezë që në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë dhe në të njëjtin shesh, të protestojnë për të drejtat e mohuara të komunitetit minoritar. Për përveç anti-mitingut, Bollano duket është i interesuar që të ketë dhe mbështetjen e organeve shtetërore në Tiranë, mbështetje të cilën duket se e ka kërkuar dje në Kryeministri.