E Shtunë, 31 Tetor 2026

Politikës së vjetër? Stilin e Jozefinës!

QYTETARIA DHE POLITIKA

Nëse e djathta e djeshme kujtohet për keq, sepse mbajti ndaj pushtuesit një qëndrim fatalisht të gabuar, e djathta e re, ajo e pas ‘90-ës, do të kujtohet për kapitalizmin piramidal, vjedhjen e votës, djegiet dhe vrasjet e ‘97-ës, sulmet idiote e kriminale prej cubash në ’98-ën, për bombën “Gërdec” si krim e korrupsion kryeministror, për talljen me pronaret e ligjshëm, për moralin injorant, bajraktar e tribal të instaluar në çdo hallkë të shtetit dhe për shumë hipokrizi e gënjeshtra të pacipa. Vite më parë, këtë farë qeverisjeje shtypi perëndimor e emërtoi “qeverisje gangsterësh”. Sot, për fatin e keq të tij, ky popull i mjerë qeveriset nga të njëjtët njerëz, nga i njëjti lider. Dhe Perëndimi përsëri po u bie fort kambanave.

Po çfarë u bë me palën tjetër, me të majtën tonë pas ’90-ës?! Udhëheqësit e vjetër e të papërkulur të “fanarit të kuq” Shqipëri, pasi i mbushen brekët, na kthyen krahët e ikën. I harruan të gjitha ç’patën thënë e ç’patën bërë gjatë sundimit të tyre të gjatë. Ata ikën dhe lanë pas turpin për të majtën. Ata qenë aktorë të një drame që e patën shkruar dhe luajtur vetë. Loja e tyre, aq e pati.

Por fati i ndriti shpejt. Vandalizmi dhe injoranca e së djathtës shumë shpejt e ndihmoi të merrte pushtetin. Në kolltukët ministrore e kryeministrore u ulën më së shumti çunakë rastësorë, pa pikën e përvojës, të paprovuar, që njihnin vetëm bankat e shkollës. Kjo qe një dredhi e PS-së për t’i pëlqyer Perëndimit, të cilën e pagoi shtrenjtë vendi dhe vetë PS-ja. Për të mos u zgjatur, këta kolopuçë të përkëdhelur e të llastuar nga fati e treguan veten krejt të padenjë për barrën që morën dhe ia sollën shpirtin popullit në majë të hundës. Ky dëshpërim e zemërim popullor riktheu të djathtën (Saliun më saktë) në pushtet.

Por a mund, dhe a duhet, që ne shqiptarët të durojmë akoma të qeverisemi nga këta palaço të djathtë e të majtë?! Cili njeri normal në Shqipëri nuk e kupton se në këto dy dekada kemi vrarë barbarisht shumë kohë të çmuar flori, se kemi shkatërruar shumë më tepër nga ç’kemi investuar për botën materiale e shpirtërore të njerëzve?! Këtë me siguri e kupton çdo njeri normal, përveç politikanëve tanë, të cilët e kanë dëshmuar se për nga makutëria, papërgjegjshmëria dhe mediokriteti nuk janë normalë.

Si qytetarë, ndjehemi të turpëruar nga kjo klasë politike bastarde. Kemi aq shumë halle që na kanë mbërthyer për fyti. Ne nuk e kemi luksin të bëjmë një luftë të pastër ideologjike midis nesh. Thirrja që bëhet “tej së majtës e së djathtës” është e vetmja thirrje e drejtë për kohen që jetojmë.

Nuk është shaka. Dhe nuk mund të vazhdojmë t’i shohim politikanët e dështuar si sportistë të preferuar miliarderë, kurse veten si tifozë brekëgrisur në shkallët e një stadiumi turpi. Qëndrimi sentimental e mendjelehtë për t’u bërë qejfin të gjithë njerëzve që e kanë kthyer politikën në zanat, është i pamundur dhe me pasoja të rënda. PS-ja shumë shpesh intimidohet (kërcënohet) se, nëse nuk bashkohet me parti të tjera, nuk fiton kurrë. PS-ja duhet të bashkohet vetëm me ato parti, të cilat dënojnë në mënyrë të prerë, pa ekuivok, politikën e vjetër dhe pasojat e saj. Ndaj politikës së vjetër duhet përdorur stili i Jozefinës së Parlamentit: Të kapen këta vagabondë prej zhelesh e të flaken jashtë... Pa e harruar edhe vetë Jozefinën, natyrisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›