E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, Gjykata e Strasburgut ndëshkon Shqipërinë

Shteti shqiptar është i detyruar që t'u paguajë aplikuesve të çështjes "Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë", shumën prej 450 mijë eurosh brenda një afati 3-mujor nga data kur vendimi është përfundimtar. 

TIRANE-"Gabimet" në gjykimin e konflikteve pronësore po i kushtojnë mjaft shtrenjtë Shqipërisë. Gjykata e Strasburgut penalizon sërish shtetin shqiptar. Në një vendim të dy javëve më parë për çështjen "Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë", Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut e detyron qeverinë t'i paguajë aplikuesit (trash1ëgimtarëve të familjes Vrioni), shumën prej 450 mijë eurosh si dhe shpenzimet gjyqësore, për shkak se i është mohuar e drejta e pronës, për shkak të parregullsive të vërejtura në proceset gjyqësore. Këtë shumë, qeveria shqiptare duhet ta paguajë brenda një afati 3-mujor nga dita e shpalljes së vendimit. Pas çështjes "Driza kundër Shqipërisë", kjo është hera e dytë që shtetit shqiptar detyrohet të paguajë një shumë kaq të madhe.
Ndëshkimi
Konflikti për gjysmën e një banesë private në Tiranë së bashku me truallin dhe oborrin e saj midis pronarëve të vjetër, Baldasar Benusi dhe atyre të rinj, K. Glozheni nuk është zgjidhur drejt nga gjykatat shqiptare, ndaj për pasojë Strasburgu ka penalizuar Shqipërinë. Pas kalvarit të gjatë në gjykatat shqiptare, pesë vajzat e Baldasar Benusit; Valeria Vrioni (Benusi), Julian Benusi, Cecili Benusi, Hartina Benusi dhe Klara Benusi, me banim në Romë, Itali, me 21 dhjetor 2002 i janë drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut për të rivënë në vend të drejtën e mohuar të pronës. Historia e ka zanafillën që në vitet e paraluftës në Shqipëri. Babai i aplikantëve, Baldasar Benusi, ishte pronar i një vile dhe një sipërfaqe prej 1.377 metra katrorë truall në Tiranë. Benusi i kishte blerë pronat me një kredi në bankën e Napolit, duke e vënë vilën dhe truallin në Hipotekë si garanci. Me 21 prill 1948, Gjykata e Lartë Ushtarake e shpalli Benusin fajtor për çështje politike, duke e dënuar atë me 7 vjet burg. Gjykata urdhëroi konfiskimin e gjysmës së pronës që ishte hipotekuar, duke e kaluar në pronësi të shtetit. Po këtë vit shteti vendosi t'ia shesë këtë pronë, pronarit të ri K.Glozheni.
Në vitin 1992, prona iu kthye pronarit të vjetër, sipas një dekreti për Rehabilitimin e Viktimave të Represionit Politik (ligji nr, 7514, i 30 shtatorit 1991). Këtu nisi dhe kalvari i gjatë i proceseve civile në të gjitha shkallët e gjyqësorit në vend. Maratona gjyqësore në Shqipëria mori fund me vendimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2002, duke e cilësuar si të papranueshme ankesën e aplikuesve, me argumentimin se ishte jashtë juridiksionit të saj. Pasi shqyrtoi çështjen "Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë", Strasburgu vërejti shkeljet procedurale dhe për pasojë, vendosi t'i akordojë aplikuesve një dëmshpërblim financiar prej 450 mijë eurosh. Ndërkaq, prona u mbetet pronarëve të rinj.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›