E Shtunë, 31 Tetor 2026

10 vjet eksod, Kukesi në pritje të kosovareve

Më 16 prill pritet të mbërrijnë në qytetin e Kukësit mbi 20 mijë kosovarë për të përkujtuar 10-vjetorin e eksodit të vitit '99, pas dëbimit nga trojet e tyre nga forcat ushtarake serbe. Marshimi ka nisur sot ne mengjes 

KUKES- Kukësi është përgatitur që të presë nesër rreth 20 mijë marshues kosovarë, të cilët në prag të 10-vjetorit të eksodit, dëbimit nga trojet e tyre nga forcat ushtarake serbe, kanë nisur sot, në orët e para të mëngjesit, udhëtimin drejt qytetit, që i mirëpriti 10 vjet më parë.
Policitë e qarkut të Kukësit dhe e Kufirit kanë marrë masa të gjithanshme për të përballuar fluksin e madh të kosovarëve, që pritet të mbërrijnë nesër në qytetin mikpritës verior.
"Për të përballuar këtë fluks, kemi hartuar një plan të veçantë masash në bashkëpunim me drejtorinë e policisë kufitare", thotë drejtori i policisë së qarkut të Kukësit, Muharrem Furriku.
Më 16 prill pritet të mbërrijnë në qytetin e Kukësit mbi 20 mijë kosovarë për të përkujtuar 10-vjetorin e eksodit të vitit '99, me moton "Eksodi '99 - marshimi 2009". Kortezhi i marshuesve nisi sot nga qyteti i Mitrovicës, duke kaluar nga Gurakoci - Peja - Decani - Gjakova.
Në mbrëmje ata do të mbërrijnë në Xërxë, fshat afër Prizrenit, ku 10 vjet më parë, ushtria serbe grumbullonte të dëbuarit nga vise të ndryshme të Kosovës, duke i dëbuar më pas në drejtim të Kukësit, përmes Doganës së Morinit.
Në orët e mëngjesit të ditës së nesërme vargu i marshuesve do të lëvizë drejt Prizrenit e më pas në drejtim të Kukësit, ku janë planifikuar veprimtari të ndryshme kulturore artistike, vizita të kosovarëve në familjet kuksiane, ku 10 vjet më parë ata u strehuan.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›