E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronat, banorët e Roskovecit kërkojnë fushën e futbollit

Fëmijë të qytetit kanë luajtur për 30 minuta në rrugë duke bllokuar ndërkohë akset kombëtare Roskovec-Berat dhe Roskovec-Fier


FIER - Fëmijë që luajnë në rrugë duke i bllokuar për mbi gjysmë ore akset Roskovec-Berat dhe Roskovec-Fier. Kjo ka qenë mënyra e banorëve të këtij qyteti për të protestuar lidhur me marrjen e fushës së futbollit dhe kthimin e saj një pronari, që sipas tyre, nuk është as nga ky vend. Në mbështetje të fëmijëve dhe banorëve ka dalë edhe kreu i bashkisë së Roskovecit, Ylli Kola, i cili ka pohuar se marrja e fushës së sportit dhe dhënia e saj një pronari të panjohur prej tyre, është në kundërshtim me ligjin. "Ne protestojmë sot në emër të të gjithëve brezave të futbollit nga viti 1936 e në vazhdim. Sipërfaqja e fushës së sportit i përket bashkisë nga viti 1929 e në vazhdim, ndërkohë që ajo është pretenduar dhe nga pronarë të tjerë, të cilët janë kompensuar me obligacione shtetërore (letra me vlerë) gjatë viteve 1994, 1995, 1996, - u shpreh kryebashkiaku, duke vijuar se një gjë e tillë vërtetohej edhe nga një hartë e Roskovecit. Gjithashtu, shumë të moshuar pohuan se toka ku është ndërtuar fusha e sportit është tokë e shtetit dhe ajo nuk i takon askujt. Duke folur lidhur me të, banorët kanë këmbëngulur se ka pasur shumë pronarë që e kanë pretenduar atë tokë, por ajo nuk mund të jetë e të gjithëve, aq më tepër kur për aq kohë sa mbahet mend, ajo nuk ka pasur pronarë.
Gjithsesi qytetarë dhe sportdashës mbas kësaj proteste i janë drejtuar fushës së sportit e cila ruhet 24 orë me roja private të vendosur nga pronari i tanishëm i tokës, të cilit i është dhënë kjo pronë me një vendim të Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kapiteni i skuadrës së futbollit të Roskovecit u shpreh se "një qyteti kaq të madh si Roskoveci i merret e vetmja fushë futbolli që ka ndrydhur ëndrrat e lojtarëve që luajnë tani dhe të brezave të ardhshëm që do të vijnë që janë fëmijët e të gjithëve. Sot ata po lozin rrugëve duke rrezikuar edhe jetën". Ndërkohë, si për të vërtetuar një deklaratë të tillë, fëmijë të ekipeve zinxhir kanë luajtur dje futboll në mes të rrugës duke bllokuar për 30 minuta rrugën nacionale Roskovec- Berat dhe Roskovec- Fier.
Nga kjo protestë kryetari i bashkisë Ylli Kola i është drejtuar edhe një herë kryeministrit Sali Berisha duke u shprehur se "jemi të bindur në drejtësinë që ju karakterizon dhe do të dëshiroja së bashku me të gjithë qytetarët që fusha e sportit, e vetmja në qytet, të ngelet përfundimisht në inventarin e pronave të paluajshme të Bashkisë Roskovec". Gjithashtu, u është bërë thirrje edhe dy deputetëve që kërkuan votat në Roskovec, Sokol Olldashi dhe Armando Subashi, për të punuar edhe ata në këtë drejtim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›