E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amnistia, u falën të dyshuar për vjedhjen e votës

Gjashtë nga njerëzit e PD-së, të cilëve iu dha leje për zgjedhjet e 28 qershorit, janë amnistuar nga presidenti Topi. Ja emrat

TIRANË- Amnistia e dekretuar pak ditë më parë nga presidenti Bamir Topi ka shpërblyer të paktën gjashtë elementë të rrezikshëm kriminalë, të cilët dyshohet se kanë ndikuar në zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Bëhet fjalë për gjashtë të dënuar, të cilët janë denoncuar publikisht nga Partia Socialiste pak ditë pas zgjedhjeve si të implikuar në vjedhjen e votave. Ata janë të dënuar që pak ditë përpara zgjedhjeve ose gjatë ditëve të zgjedhjeve kanë marrë leje shpërblyese, në kundërshtim me ligjin, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Të dënuarit e akuzuar nga PS dhe të amnistuar nga presidenti Topi janë Marjan Lukaj, Arjan Sina, Skënder Kulla, Alfred Peposhi, Naim Avdija dhe Sokol Uxhi. Këta persona njihen si përkrahës të Partisë Demokratike.

Zgjedhjet
Pak ditë pas zgjedhjeve Partia Socialiste publikoi listën e të dënuarve që kishin ndihmuar manipulimin e rezultatit të 28 qershorit. Sipas saj, gjatë periudhës elektorale është konstatuar një fenomen shumë i rrezikshëm siç është përdorimi nga ana e institucioneve qeveritare i personave të dënuar me heqje lirie në funksion të betejës elektorale. "Disa informacione të siguruara në rrugë konfidenciale (vetëm për datat 12, 15, 16, 17) tregojnë për një rritje të ndjeshme të lejeve të dhëna për të dënuarit gjatë periudhës zgjedhore, shumica e të cilave në kundërshtim të hapur me ligjin dhe aktet nënligjore përkatëse. Nga informacionet tona në terren një pjesë e mirë e tyre janë përdorur për të bërë fushatë në favor të qeverisë tek familjarët e tyre apo për të riaktivizuar lidhjet kriminale në mbështetje të fushatës proqeveritare",- thuhej në raportin e PS-së.

Sipas tij, ligji parashikon se mund të marrin leje vetëm të dënuarit që respektojnë rregulloren e brendshme të institucionit, kanë sjellje të mirë dhe nuk paraqesin rrezikshmëri shoqërore, për realizimin e interesave të tyre emocionale, personale, ekonomike dhe kulturore. Ligji parashikon qartë se leja shpërblyese i jepet personave të dënuar deri në 3 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/4 e dënimit; personave të dënuar nga 3 deri në 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 1/2 e dënimit; personave të dënuar mbi 10 vjet burgim, pasi të kenë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. Leja shpërblyese në burgjet apo seksionet e sigurisë së lartë jepet vetëm me urdhër të Ministrit të Drejtësisë ose me autorizimin e tij nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve. Sipas rregullores së përgjithshme të burgjeve, personat e poshtëshënuar janë të dënuar për vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore e me masa dënimi shumë të larta dhe për rrjedhojë nuk plotësojnë kushtet për të përfituar leje shpërblyese.

Amnistia
Edhe pse Partia Socialiste denoncoi në prokurori skandalin e lejeve shpërblyese, institucioni i hetimit nuk u mor me këtë çështje. Emrat e të liruarve u harruan për tu rishfaqur sërish në listën e të amnistuarve. Kështu, Marjan Lukaj ka përfituar dy vjet ulje nga dënimi i mbetur. Arjan Sinës, i dënuar me 18 vjet për vrasje, i janë falur katër vjet nga dënimi i mbetur. Skënder Kullës, i dënuar me 12 vjet për vrasje, i është falur një vit nga dënimi i mbetur. Alfred Peposhit i janë falur dy vjet nga dënimi i mbetur. Naim Avdiut i janë falur dy vjet nga dënimi i mbetur. Sokol Uxhit, i dënuar për trafik raketash, i është falur një vit nga dënimi i mbetur. Të gjithë këta persona ndodhen në listën e Partisë Socialiste si të implikuar në vjedhjen e votës. Lista e PS-së vazhdon edhe me emra të tjerë të dënuarish të dyshuar si të implikuar në vjedhjen e votës por për ta nuk ka prova të shumta.


Rasti Marjan Lukaj
Lukaj është dënuar me 13 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 5 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave të dënuar mbi 10 vjet burg u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit. I dënuari ka marrë si masë dënimi 13 vjet burgim dhe deri ditën kur i është dhënë leje rezulton se ai të ketë vuajtur vetëm 6 vjet e 3 muaj e 22 ditë burg ndërkohë që për të fituar të drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 8 vjet e 8 muaj.



Rasti Arjan Sina,
Sina është dënuar me 18 vjet burg për veprën penale të vrasjes.
Me datë 19.06.2009 këtij të dënuari i është dhënë leje 3 ditore në shkelje të ligjit, pasi personave te dënuar mbi 10 vjet u lind e drejta për leje, së pari vetëm nëse kanë vuajtur jo me pak se 2/3 e dënimit. I dënuari deri ditën kur i është dhënë leja rezulton të ketë vuajtur vetëm 9 vjet e 28 ditë, ndërkohë që për të përfituar drejtën e lejes ai duhet të kishte vuajtur jo më pak se 12 vjet burg.

Rasti Skënder Kulla
Kulla është dënuar 12 vjet për vrasje me paramendim të mbetur në tentative dhe armëmbajtje pa leje. Ka vuajtur vetëm 7 vjet e 1 muaj dhe i kanë mbetur 4 vjet e 11 muaj. Faktikisht duhet të kryente 2/3 e dënimit pra 8 vjet për të përfituar lejen shpërblyese !!.



Alfred Peposhi dënuar me 10 vjet për vrasje, mbetur edhe 5 vjet e 3 muaj e 15 ditë.
Naim Avdiu, i dënuar 10 vjet për vrasje, mbetur edhe 4 vjet e 7 muaj.
Sokol Uxhi, dënuar 7 vjet e 4 muaj për prodhim të armeve luftarake, mbetur edhe 2 vjet e 11 mua e 27 ditë.



Zyra Juridike shpjegoi kriteret e përdorura për amnistinë dhe institucionet që propozuan emrat e të dënuarve
Presidenca: Emrat na erdhën nga burgjet
Një ditë pas shpalljes së amnistisë, Presidenca ka shpjeguar edhe kriteret e përdorura. Sipas Drejtorisë Juridike të Presidencës, gjatë këtij procesi janë marrë në konsideratë rrethana të tilla si qenia i mitur në kohën e kryerjes së veprës penale; gjendja e rënduar shëndetësore dhe mosha e thyer, e cila nuk justifikonte vazhdimin e mëtejshëm të vuajtjes së dënimit si dhe fakti se disa të dënuar, sidomos gra, ishin nëna të fëmijëve të mitur, një pjesë e të cilëve kishin mbetur pa kujdesin prindëror të asnjërit prindi. Ndërkohë një numër i madh emrash i është propozuar Presidencës nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, i njëjti institucion që dha lejet e qershorit 2009. "Duke marrë parasysh se sipas referimit të bërë nga ana e institucioneve përgjegjëse mbi edukimin dhe rehabilitimin social të të dënuarve e pasi u bë e qartë se këta persona me sjelljen, punën dhe veprimet e tyre kishin provuar se me vuajtjen e dënimit e kishin përmbushur qëllimin për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror, ndaj tyre u aplikua falje tërësisht / ose pjesërisht e dënimit të mbetur për të vuajtur",- shpjegoi Presidenca për amnistinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›